Ish-kryeministri Sali Berisha kërkon lirinë në Gjykatën e Posaçme të Apelit. Përmes dy avokatëve të tij, Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi lideri demokrat ka ankimuar këtë të mërkurë vendimin e Shkallës së Parë që e la atë në masën “arrest shtepie”.
Kjo lëvizje e ish-kryeministrit vjen përpara se Gjykata e Posaçme të zbardh vendimin e arsyetuar që ndryshoi masën e sigurisë nga “detyrim paraqitje” në atë aktual “arrest shtëpie”, si dhe brenda afatit 5 ditor të ankimit.
Ashpërsimi i masës së sigurisë për Berishën u kërkua nga SPAK me argumentin se ish-Kryeministri nuk zbatoi vendimin që e detyronte atë të paraqitej në policinë gjyqësore dhënë nga e njëjta gjykatë në Tetor të këtij viti.
SPAK po e heton Berishën me dyshimet se është përfshirë në korrupsion në procedurën e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.
Akuzë e cila është mohuar nga ish-Kryeministri që e konsideron hetimin ndaj tij si politik. Për të njëjtën çështje në arrest shtëpie po qëndron edhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.