Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është “shkatërruar emocionalisht” nga dështimi i tij masiv në sigurinë kombëtare dhe tani po i bën llogaritë gabim. Ehud Olmert, paraardhësi i Netanjahut, thotë në një intervistë për Politico se kryeministri izraelit është rrezik për vendin.
“Netanyahu është tkurrur. Ai është shkatërruar emocionalisht, kjo është e sigurt. Dua të them, diçka e tmerrshme i ndodhi. Bibi ka punuar gjithë jetën me pretendimin e rremë se është zoti Siguria. Ai është zoti Gjepura”, tha ai. “Çdo minutë që ai rri kryeministër, është rrezik për Izraelin. E kam seriozisht këtë. Jam i sigurt se amerikanët e kuptojnë se ai është në gjendje të keqe.”
Olmert paralajmëron se plani strategjik i Netanyahut për të mbajtur kontrollin mbi Rripin e Gazës të pasluftës – transmetuar në një intervistë me ABC Neës të hënën – do të ishte një rikthim në vitin 2005-n, kur Izraeli sundonte ushtarakisht mbi enklavën bregdetare.
“Nuk është në interesin e Izraelit të mbikëqyrë sigurinë e Gazës”, tha ai. “Është në interesin tonë që të mund të mbrohemi në një tjetër mënyrë nga ajo që bëmë përpara sulmit të 7 tetorit. Por për të kontrolluar sërish Gazën? Jo.”
Olmert paralajmëron se durimi i aleatëve perëndimorë të Izraelit është dobësuar falë dështimit të Netanyahu-t dhe ministrave të tij për të përshkruar një plan realist për qeverisjen e Gazës pas Hamasit. “Ka shumë gjëra që mund të bëjmë, por nuk mund të bëjmë gjithçka që dëshirojmë,” paralajmëroi ai.
Olmert e ka udhëhequr Izraelin nga viti 2006 deri në 2009 si lider i partisë liberale Kadima. Më parë, gjatë viteve 1993-2003, ai ka qenë kryebashkiak i Jerusalemit.