Nga Ilir Copja
Sot zhvillova një intervistë nëpërmjet Skype me Ariana Kosova Hoxha, përfaqësuese e diasporës shqiptare në Itali dhe më konkretisht në rajonin e Marche. Zonja e nderuar ka një jetë të ndarë “përgjysmë”. Ajo ka lindur dhe është rritur në qytetin e Durrësit dhe ka mbaruar studimet në Universitetin Aleksandër Xhuvani, në fakultetin e mësuesisë, në profilin arsim fillor. Ajo ka ushtruar për tre vjet profesionin e mësueses në arsimin fillor në qytetin e Durrësit dhe më pas u largua me bashkëshortin në Itali. Pas vendosjes në Itali Ariana vazhdoi studimet për shkenca të edukimit, master në edukim për personat me aftësi ndryshe dhe së fundmi është diplomuar në shkenca politike dhe është në proces studimi në degën komunikim në marrëdhëniet ndërkombëtorare. Ajo që nga viti 2002 jeton në krahinën Marche në komunën Macherata ku tashmë është integruar plotësisht dhe ka arritur të ambiciet e saj në karrierë.
E nderuar mund të më thoni disa dallime midis shkollimit në Shqipëri dhe atij në Itali?
Vitet kur unë kam studiuar në Shqipëri, më konkretisht në Elbasan ishin vite shumë të vështira. Konkursin për të studiuar në fakultetin e mësuesisë për cikël të ulët, pranoheshin njëzet student nga gjashtëqind kandidatë. Kam kujtime të bukura nga kolegët dhe profesorët, pavarësisht se në atë kohë korrupsioni dhe nota fictive ishin shumë të përhapura. Kujtoj rrugën nga Durrësi në Elbasan që në atë kohë ishte makth dhe kur u riktheva në Elbasan, në vitin 2018 rruga ishte bërë autostradë dhe bëhej për gjysmën e kohës, një ndryshim drastik.
Në Itali duke qenë se nga viti 2007 lejoi njehsimin e diplomave ekstrakomunitare. Si rezultat e këtij ligji u njohën diplomat e disa universiteteve publike shqiptare, ndër të cilat edhe të universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, më lejoi që fakultetin e parë në Itali ta mbaroj për gjysmën e kohës Pasi dola me rezultate shumë të larta më ftuan të vazhdoja një tjetër cikël studimesh kësaj radhe për arsimimin e personave me aftësi ndryshe. Pasi mbarova këtë cikël studimesh me rezultate shumë të larta 108 nga 110 pikët maksimale më ftuan të jap mësim në Universitetin e Camerino. Gjatë kësaj kohe kisha filluar angazhimin tim në mësimin e gjuhës shqipe dhe aktivitetet me komunitetin shqiptar, për këtë arsye vendosa të ndjek një cikël studimesh në shkencat politike. Duke qenë se tashmë unë i kisha tre diploma të njohura mu njoh e drejta të kaloja automatikisht në studimet Master. Pas këtyre studimeve aktualisht jam pedagoge në Universitetin e Camerino dhe po vazhdoj ciklin e pestë të studimeve, të tretin Master për Komunikim në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Ju jeni diplomuar në dy drejtime te ndryshme shkenca edukimi dhe shkenca politike. Çfarë lidhje ka midis tyre?
Studimet e mia kanë lidhje midis tyre. Universiteti në Shqipëri dhe dy të parët në Itali më ndihmuan të perfeksionohesha në pedagogji. Unë ndjeja kënaqësinë më të madhe sidomos kur mësoja fëmijët me aftësi ndryshe. Studimet për shkenca politike erdhën në një kohë kur unë kisha nisur angazhimin tim në çështjet kombëtare duke ndihmuar shqiptarët si mësuese vullnetare e gjuhës shqipe në rajonin Marche. Studimet në shkencat politike më ndihmuan të jem më në kontakt me politikbërjen në rajonin e Marche dhe të kem mundësi të parashtroj problematikat dhe kërkesat e komunitetit shqiptar.
Pse vendoset të angazhoheni në komunitetin shqiptar dhe të punoni për mësimin e gjuhës shqipe në fëmijët e emigrantëve shqiptarë?
Unë mendoj se kush ka vuajtur kupton vuajtjet e të tjerëve. Unë lashë tridhjetë nxënësit e mi në Durrës në vitin 2002 dhe dëshira për tu mësuar fëmijëve shqiptarë në Itali gjuhën shqipe ishte e madhe. Mundësia lindi rastësisht në një promovim libri të një gazetari të njohur italian ku pata rastin të takoj nënkryetaren e Bashkisë së Macerata. Ajo më ftoi në një takim në zyrën e saj ku mbeta mjaft e emocionuar. Mbi skrivani kishte një tavell të madhe me simbolet kuq e zi, dhuratë e komunitetit shqiptar në Macerata. Ajo më tregoi që po planifikohen të hapej klasa e parë e mësimit të gjuhës shqipe dhe me ftoi të merrja pjesë. Mësimi i gjuhës shqipe do zhvillohej në mënyrë vullnetare gjatë fundjavës. Unë pranova dhe fillova të jap mësimin e gjuhës shqipe në klasën e parë në komunën e Macerata.
Si është interesi i prindërve shqiptare që fëmijët të mësojnë të shkruajnë dhe të lexojnë gjuhën shqipe?
Në përgjithësi interesi është i lartë. Prindërit duan që fëmijët e tyre të dinë të flasin e ta shkruajnë gjuhën shqipe që të mund të komunikojnë me gjyshërit e të afërmit në Shqipëri. Fatkeqësisht kemi një realitet me dy pamje. Shqiptarët e ardhur nga Republika e Shqipërisë janë më indiferent ndërsa ata të ardhur nga trojet etnike. Arsyeja kryesore është se shumica e prindërve nga trojet etnike kanë qenë të privuar nga mësimi i gjuhës shqipe dhe nuk duan që dhe fëmijët e tyre të rriten pa ditur të shkruajnë dhe të lexojnë gjuhën shqipe.
Sa klasa të gjuhës shqipe ka në të gjithë Italinë dhe mendoni se janë të mjaftueshme?
Deri në këto momente që flasim janë gjashtëdhjetë e tetë klasa të gjuhës shqipe në të gjithë Italinë. Numri i tyre është shumë i pamjaftueshëm duke pasur parasysh se numri emigrantëve me kombësi shqiptare në Itali llogaritet në 600 mijë. Problemi kryesor nuk është Numri i klasave, por numri i pamjaftueshëm o bazës materiale. Baza materiale sigurohet nga shoqatat të cilat i blejnë në tregun e zi. Institucionet në dy shtetet shqiptare kanë kontribuar në mënyrë të ndryshme.
Po praktikohen njëkohësisht edhe kurset online të gjuhës shqipe?
Fatkeqësisht jo. Klasat e mësimit të gjuhës shqipe ofrohen nga komunat dhe në përgjithësi janë në ambiente të projektuara për të qenë klasa mësimore. Më konkretisht në komunën e Macerata ambientet që përdoret për këtë qëllim është një ish kapanon ushtarak I përshtatur. Kur te futet si lëndë me zgjedhje në shkollat publike italiane atëherë po edhe mjetet se teknologjisë së informacionit dhe komunikimit do përdoren në mësimin e gjuhës shqipe dhe kulturës e historisë shqiptare.
A keni patur përkrahje nga institucionet e Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës në këtë nismë të ndërmarrë?
Përkrahja ka qenë më e madhe nga qeveria e Kosovës. Ajo ka më shumë eksperiencë në menaxhimin e marrëdhënieve me diasporën. Qeveria e Kosovës ka ndihmuar me seriozisht duke sjellë libra dhe programe apostafat për fëmijët në diasporë, duke organizuar konkurse, seminare, vizita të organizuara. Qeveria shqiptare ka dhënë vetëm disa libra jashtë shkollor dhe 2000 abetare që I transportova me shpenzimet e mia nga Tirana për në Itali. Problem tjetër është certifikimi i mësuesve të gjuhës shqipe në Itali nga Ministria e arsimit e Shqipërisë e cila ende nuk ka marrë zgjidhje përfundimtare. Së fundmi një problem i rëndësisë së veçantë është unifikimi i abetareve i cili është folur shumë prej vitesh që do behet por ende nuk ka nisur. Mësuesit hasin shumë vështirësi se u qëllon të punojnë me tre abetare të ndryshme në një klasë (e Republikës së Shqipërisë, e Republikës së Kosovës dhe e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut).
Si po ecën peticioni juaj për futjen e gjuhës shqipe si lëndë me zgjedhje në shkollat publike italiane?
Italia ka miratuar në kuadër të konventës Europiane për minoritetet të njohë gjuhët e minoriteteve kryesore që jetojnë në Itali, gjuhën rumune (rumunët), gjuhën shqipe (shqiptarët dhe shqipfolësit) dhe gjuhën arabe (arabët, vendet e Magrebit). Rumania duke qenë edhe anëtare e Bashkimit Europiane ishte e para që fitoi të drejtën e futjes së gjuhës rumune si lëndë me zgjedhje në shkollat publike italiane. Fatkeqësisht mbështetja institucionale nga ana e shteteve shqiptare për këtë çështje ka munguar dhe vazhdon të mungojë. Të gjendur në këtë situatë u organizuam si komunitet shqiptare në bashkëpunim me organizatat shqiptare dhe ngritëm një ekip prej dhjetë avokatë të cilët u morën me studimin e kuadrit ligjor europian dhe atij italian për të bere te mundur arritjen e këtij qëllimi. Tashmë jam krenare t’ju them se dokumentacioni është gati dhe është dorëzuar në këshillin europian. Në rast të një përgjigje pozitive, komisioni Europian do ta detyrojë Republikën e Italisë përgatitë kushtet për futjen e gjuhës shqipe si lëndë me zgjedhje në shkollat publike italiane.
Ju keni punuar edhe në zyrën e emigracionit të komunës së Macerata, si mendoni a i dinë emigrantët shqiptarë të drejtat që kanë në Republikën e Italisë?
Unë jam krenare që jam shqiptarja e parë që ka fituar një konkurs publik për tu punësuar në komunën e Macerata. Fatkeqësisht duhet thënë që në krahasim me emigrantët e shteteve të tjera, shqiptarët kanë qenë dhe janë jetimë. Ambasada apo konsullatat nuk japin telefonin dhe nuk ndihmojnë në lehtësimin e procedurave apo në informacionet e kërkuara. Kur unë fillova të punoj në zyrën e emigracionit shqiptarët përveç detyrave dhe kompetencave të mia më kërkonin ndihmë për probleme të shumëllojshme duke më ml parë si varkën e vetme të shpëtimit. Emigrantët e tjerë në përgjithësi ndihmoheshin nga institucionet zyrtare të shteteve të tyre dhe tek zyra e emigracionit vinin vetëm për procedurat që mund të realizoheshin vetëm aty.
Cilat janë problematikat kryesore që ka emigracioni shqiptar në Itali?
Siç përmenda më sipër emigrantët shqiptarë janë jetimë dhe nuk gëzojnë asistencë nga përfaqësuesit e shteteve të tyre në Itali. Kjo bën që ata të kenë shumëfish probleme. Problemet me të mëdha lidhen me njohjen e diplomave shqiptare, pasaportat, rinovimet e lejeve të qëndrimit, autorizime të veçanta.
A ndryshojnë kërkesat e emigrantëve shqiptarë nga Republika e Shqipërisë dhe atyre nga trojet shqiptare?
Për sa i takon shqiptarëve nga trojet etnike ata që janë mbi moshën dyzet vjeçare janë përgjithësisht të paarsimuar si pasojë e regjimeve ku kanë qenë pjesë. Ata kanë nevojë për asistencë të vazhdueshme në aspektin administrativ dhe procedural por fatkeqësisht lihen vetëm nga strukturat zyrtare të vendeve të tyre dhe ndihen të lodhur e të humbur.
Ju do kandidoni në zgjedhjet e shtatorit për të qenë këshilltarë në rajonin e Marche nën siglën e Partito Democratico, pse pikërisht kjo zgjedhje?
Angazhimi im në politikë erdhi natyrshëm. Unë kam vite që angazhohem në komunitetin shqiptar në Macerata. Së fundmi u zgjodha edhe kryetare e Lidhjes së mësuesve të gjuhës shqipe në Itali. Në fakt pjesëmarrja ime në këto zgjedhje vjen pas propozimit që më bëri Partito democratico. Ajo më ofroi të zgjidhja mes katër vendeve, dy në komunën e Macerata dhe dy në rajonin e Marche. Arsyeja pse pranova kandidaturat është për tu dhënë përfaqësim shqiptarëve që jetojnë në komunën e Macerata dhe rajonin e Marche. Ftoj shqiptarët banues në Marche të më votojnë që të kenë përfaqësuesin e tyre në strukturat komunale dhe rajonale. Eksperiencën e fituar këto vite në angazhimin tim si mësuese e gjuhës shqipe dhe nëpunëse e zyrës së emigracionit do ta vë në funksion të përfaqësimit me të mirë të komunitetit shqiptar dhe realizimin e të drejtave të komunitetit shqiptar.
Ju faleminderit për këtë intervistë. Personalisht ishte një kënaqësi e veçantë. Ju uroj shumë suksese në zgjedhjet rajonale.