Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri është paraqitur këtë të hënë në ambientet e SPAK.
Mësohet se Tahiri ka shkuar në SPAK për llogari të hetimit pasuror ndaj tij, të cilin e ka në dorë prokurori Elvin Gjokaj.
Pak kohë më parë, Saimir Tahiri, la qelinë e burgut, pasi ishte dënuar me 3 vite e 4 muaj burgim për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Tahiri doli më herët nga burgu, kur kishte vuajtur një vit e gjysmë, ndërsa pjesën tjetër do ta kryente në banesë.
Sipas vendimit të marrë nga gjyqtarja e Elbasanit, Matilda Fetahu, shkaku kryesor i lirimit me kusht ishte fakti që bashkëshortja e Tahirit për shkak të gjendjes shëndetësore nuk mund të kujdesej më për fëmijët.
Dhe për këtë arsye, kujdestarinë për fëmijët duhet ta kryejë Tahiri.