Ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ishte të hënën në Prokurorinë e Posaçme, ku ishte thërritur, sipas burimeve, për procedurat lidhur me privatizimin e një ndërtese në Tiranë.
Kallëzimi është bërë në muajin shtator 2022 nga një grup ish-pronarësh të tokës ku ndodhet një ish-furrë e bukës në Tiranë.
Ata pretendojnë se e kanë fituar të drejtën e tokës jo vetëm me vendim të AKKP, por edhe me vendim gjykate të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese.
Nga ana tjetër, disa ministri, përfshirë dhe Ministrinë e Financave, janë përfshirë në një procedurë ankandi të privatizimit të objektit dhe tokës.
Këtë procedurë e ka fituar një subjekt tjetër dhe jo pronarët e tokës.
Në deklaratën e dhënë pas daljes nga SPAK, Cani nuk dha sqarime për çfarë ishte thërritur, por hodhi poshtë pretendimet se kishte shkuar në SPAK për çështjen e inceneratorëve.
“Nuk jam thirrur ende për inceneratorët dhe nuk e di nëse do të thirrem. Por jam i gatshëm nëse thirrem. Nga SPAK pres drejtësi, pres rregull”, tha Cani.
Gati një vit më parë, Cani dëshmoi në Komisionin Hetimor Parlamentar të ngritur për inceneratorët. Ai tha se kishte refuzuar procedurat e ndjekura për ndërtimin e inceneratorëve të Elbasanit dhe Fierit, pasi kishin mospërputhje me ligjin.
“Ministria e Financave e sheh më tepër në këndvështrimin e kapaciteteve financiare. Ministria e Financave kërkon që paratë e shpenzuara, të kthehen mbrapsht. Ne jemi të interesuar para se të japin para, a janë në gjendje ta kryejnë apo jo aktivitetin që kanë marrë përsipër. Për inceneratorin e Elbasanit, arsyeja e parë që e kemi refuzuar është se kemi thënë që në relacionin shoqërues nuk jepet argumenti financiar. U themi që nuk janë bazuar në ligjin për koncesionet dhe PPP-të. Ky projektvendim në dijeninë time nuk është miratuar. E treta është, cila është firma që kërkon, statusi juridik dhe kapacitetet financiare të saj? Edhe për Fierin, ishin dokumentet e paplotësuara, ne kërkonim plotësimin e dokumenteve”.