Ylli i Hollivudit Dwaine Johnson, i njohur ndryshe edhe si “The Rock“ është rikthyer në krye të klasifikimit të “Forbes” si aktori më i paguar në botë, duke dominuar një liste të mbushur me pjesëtarë të kastit të filmave rekord-thyese të serisë së `Avengers` nga Marvel.
Johnson, që nga ish mundës profesionist mbërriti në majat e industrisë amerikane të filmit, një rruge kjo jo gjithmonë e sheshtë për të, ka arritur të grumbullojë $89.4 milionë dollarë në 12 muaj, duke zënë sërish vendin e parë të një klasifikimi, të cilin e pat mbajtur edhe në 2016-tën.
Aktori i shumëkërkuar 47 vjeçar duket goditi fort në shenjë me filmin “Jumanji: Welcome to the Jungle” – e më pas dhe shfaqjen në “Fast and Furious”. Një sukses i shumë merituar megjithatë, sipas ekspertëve; e kjo sepse Dwaine, është një njeri që punon shumë. Praktikisht, nuk ndalet për asnjë çast, theksojnë ata. Në vendin e dytë të klasifikimit u rendit Chris Hemsworth me $76.4 milionë – një prej disa aktorëve të universit të superheronjve të Marvelit, që kanë pushtuar 10-tëshen e parë.
Hemsworth që interpreton një prej figurave më të dashura prej fansave, Thor-in, u pasua në vend të tretë nga Robert Downey Jr me Iron Man; pas tij vinin me radhë Bradley Cooper me Rocket, Chris Evans me Captain America dhe Paul Rudd me Ant-Man.