Ish-Presidenti Bill Clinton doli të dielën nga një spital i Kalifornisë Jugore ku ishte shtruar pas diagnostikimit me një infeksion në gjak, njohur ndryshe si helmim i gjakut, që mjekët besojnë se ka nisur fillimisht si një infeksion i traktit urinar.
Një zëdhënës i tij tha se zoti Clinton tha se pjesën tjetër të trajtimit zoti Clinton do ta marrë në shtëpinë e tij në Nju Jork.
Ish-presidenti u largua nga Qendra Mjekësore Irvine e Universitetit të Kalifornisë rreth orës 8 të mëngjesit I shoqëruar nga bashkëshortja e tij Hillary Clinton.
Pyetjes së gazetarëve se si ndihej, ish-presidenti u përgjigj duke ngritur lart gishtin e madh të dorës, si shenjë për të treguar se ishte mirë.
“Temperatura dhe numri i rruazave të bardha të gjakut janë normalizuar dhe ai do të kthehet në shtëpi në Nju Jork për të përfunduar ciklin me antibiotikë“, thuhej në një deklaratë të Dr. Alpesh N. Amin të shpërndarë në Twitter nga një zëdhënës i zotit Clinton.
Ish-Presidenti 75 vjeçar, u shtrua të martën në spital me një infeksion që nuk kishte lidhje me COVID-19. Një ndihmës i ish-presidentit tha se Bill Clinton kishte patur një infeksion të traktit urinar që ishte bërë shkak për helmim të gjakut, por në asnjë rast gjendja e tij shëndetësore nuk paraqiste rrezik për jetën.
Zoti Clinton, i cili ka shërbyer si president nga vitet 1993-2001, ka pasur edhe më parë probleme shëndetësore. Ai ka kryer dy operacione në zemër në vitet 2004 dhe 2010, për të hapur një arterie të bllokuar.