Agjenti i Gareth Bale, Jonathan Barnett, tha se festimi i diskutueshëm i yllit të Real Madridit ishte “dedikim për median”, që shkruan gjëra të pavërteta mbi klientin e tij. Uellsiani shkaktoi një trazim të madh në Cardiff, të martën, kur u fotografua duke qeshur dhe duke festuar para një flamuri të mbishkruar nga tifozët, pasi kombëtarja e tij u kualifikua në “Euro 2020”. Në momentin që u largua nga Madridi për te Uellsi, ai u kritikua për përparësitë në jetë; mes dashurisë për golfin. Tifozët e Uellsit e kanë adoptuar kritikën në flamurin-baner, ku kanë shkruar: “Uells, Golf, Madrid”.
Kjo shkaktoi tërmet në kryeqytetin spanjoll, sipas “Marca”, sepse ishte tallje publike me Real Madridin. Megjithatë, nuk mendon kështu menaxheri i uellsianit. Duke folur për ESPN, Barnet këmbënguli se nuk ka vend për shqetësim. Bale nuk luante me klubin e tij që nga tetori, për shkak lëndimi, por është vendosur të kthehet në formacion kundër Real Sociedad në “Santiago Bernabeu”, të dielën. 30-vjeçari ka shënuar dy gola në shtatë paraqitje, në të gjitha garat, këtë sezon. Ndërsa agjenti i lojtarit nuk shqetësohet për pasojat e banderolës, ish-presidenti i Real Madridit, Ramon Calderon, beson se mesfushori e ka mbushur kupën: “Do të jetë e vështirë për Bale tani, sepse ishte shumë fëminore prej tij të pozonte pas atij baneri. Tifozët janë shumë të zemëruar, sepse sigurisht nuk e pëlqejnë këtë, duke pasur parasysh se ai ka luajtur pak për ekipin këtë sezon. Bën si i dëmtuar në klub, por shkon te kombëtarja e Uellsit dhe luan dy ndeshje. Është një situatë e vështirë për Zidane. Me siguri nuk do të jetë i lumtur me Bale, që ka pozuar me atë flamur. Bale nuk mund të mbrohet nga askush për këtë. Ai po i hedh benzimë zjarrit dhe do të jetë e vështirë për Zidane që ta përfshijë në formacionin fillestar, gjithashtu edhe në stol.
Bale ka shumë vite në Madrid dhe duket se nuk është integruar me shokët e tij të skuadrës. Ai nuk flet asnjë fjalë spanjisht, ndaj ka probleme edhe në aspektin e komunikimit me tifozët e mediat. Gareth është shumë i brishtë dhe fatkeq me lëndimet. Fakti është se ai arriti te Real Madridi për një tarifë më të lartë transferimi sesa Cristiano Ronaldo. Gjithmonë do të ishte problem, sepse njerëzit menduan se do të ishte më i mirë se Ronaldo, do të shënonte gola më shumë se ai. Por, kjo ishte e pamundur. Gjithashtu, marrëdhënia e Bale me Zidane nuk ka qenë më e mira”.