Ish-prokurori Eugen Beci ka folur në lidhje me çështjen “Partizani” ku në pranga ka rënë dhëndri i Sali Berishës, Jamarbër Malltezi, ndërsa për ish-kryeministrin është vendosur “detyrim paraqitje”.
Beci theksoi se që prej të shtunës kur u arrestua Malltezi kemi hyrë në një epokë të re, duke theksuar se zyrtarët e lartë përfshirë dhe ish-kryeministrat apo kryeministrin duhet të ketë kujdes nëse ka miratuar ligje klienteliste.
“Do të duhet që Prokuroria e Posaçme sot që po flasim të dalë me prova dhe jo me hamendësime e deduksione. Në rast se një person që ka qenë ish-kryeministër apo ish-president, ka ndikuar për hartimin e ligjeve dhe akteve ligjore, duhet të qëndrojmë tek pikëpamja penale dhe pikëpamja penale njeh vetëm një parim, lidhjen shkak pasojë dhe fajin.
Që ti lidhësh të trija këto, do t’i duhet Prokurorisë që në ditët në vijim të përcaktojë dhe të provojë që këta ministra kanë qenë apo jo vartës të ish-kryeministrit.
Prokuroria duhet t’i largohet konfliktit civilë penal, do të duhet të përcaktojë se këto shkelje janë më tej se civile apo administrative dhe mbi të gjitha duhet të kuptojmë se “kemi hyrë në një epokë të re”.
Çdo ish-kryeministër dhe çdo kryeministër i Shqipërisë me standardin që Prokuroria e Posaçme po vendos duhet të bëjë kujdes kur ka miratuar ligje klienteliste, ligj me akte nënligjore”, tha ai.