Tre ditë pas vdekjes së Nexhmije Hoxhës në moshën 99-vjeçare, një tjetër ish-figurë grua e regjimit komunizmit shqiptar, Vito Kapo, është shuar në moshën 97-vjeçare. E njohur dhe si e veja e Hysni Kapos, një prej ish-figurave të larta të regjimit, Vito Kapo ka qenë një ndër gratë më afër Enverit që në vitet e luftës, pasi ka kryer dhe detyrën e sekretares personale të ish-diktatorit.
Megjithatë, profili i saj publik nuk ngjau me atë të Nexhmijes, e e damkosur si “bashkautore në krim” me bashkëshortin e saj Enverin.
Vito Kapo qe figurë regjimi, ndër më kryesoret, por pa njolla mbi shpinë. Edhe pas viteve ’90, në ato pak prononcime mediatike, tejet të kursyera, i është shmangur komenteve politike.
Ja një jetëshkrim i shkurtër i saj:
U lind më 9 nëntor 1922 në Nivan të Zagorisë, e bija e dr. Stathi Kondit dhe Krisanthisë; motër e Pirro, Alqiut dhe Tanës.
Më 1941 mbaroi Institutin Femnor “Nana Mbretneshë” të Tiranës.
Në vitet 1942-43 u mpleks me grupet komuniste dhe u bë pjesë e Grupit Komunist të Shkodrës.
Në shkurt-maj 1942 shërbeu si mësuese në fshatin e lindjes.
Gjatë luftës u ndodh në Nivan, Konispol e Përmet.
Më 1943-44 qe anëtare e sekretare organizative e Komitetit Rajonal të Partisë Komuniste për Gjirokastrën.
Në korrik-nëntor 1944 punoi si sekretare e Enver Hoxhës pranë shtabit të përgjithshëm në Helmës dhe Odriçan.
Në nëntor 1944 gjer në maj të 1945 qe në Komitetin Qendror të PK-së dhe e ngarkuar me Bashkimin e Grave Antifashiste Shqiptare.
Pas marrjes së fuqi të komunistëve, në korrik 1945 gjer në maj 1946 punoi atashe shtypi në legatën shqiptare në Beograd, ku i shoqi shërbeu si ambasador.
Më vonë u emërua Drejtoreshë e Arsimit të Lartë dhe për një kohë shumë të gjatë ka drejtuar Bashkimin e Grave të Shqipërisë.
Ka qenë gjithashtu ish-ministre e Industrisë së Lehtë në vitet 1987-1990.