Ish-shefi i inteligjencës në FBI, Ali Soufan, thotë në një intervistë për gjermanen “Der Spiegel” se SHBA dështoi në luftën kundër terrorit. Ai analizon tërheqjen e forcave amerikane nga Afganistani, e cila do të reflektohet në një valë frike, që do të forcojë ekstremistët në të gjithë botën.
Luftëtarët talebanë mund t’i shohim me kamionë nëpër Kabul apo duke pozuar me armë në duar në studiot televizive. A nuk ju duket kjo një deja-vu?
Kjo është e vërtetë. Është sikur kemi bërë atë kthesën 360 gradëshe. Pas 20 vitesh, talebanët kanë përsëri kontrollin e Afganistanit. Dhe ne duhet të jemi të vetëdijshëm se tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga Afganistani dhe mënyra se si ndodhi mund t’i frymëzojë disa. Është një fitore e madhe jo vetëm për lëvizjen xhihadiste globale, por edhe për të gjithë militantët që veprojnë kundër Shteteve të Bashkuara dhe kjo do të ketë pasoja për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Sepse të gjitha këto grupe terroriste tani do të mund të rigrupohen në Afganistan pa pengesa?
Jo vetëm. Ajo që ndodhi mund të frymëzojë edhe ata që nuk janë as ekstremistë sunitë, grupe si Hezbollahu në Liban ose Houthit në Jemen dhe shumë grupe të tjera anti-amerikane në Lindjen e Mesme. Ajo gjithashtu mund të hapë një dritare mundësie për al-Kaidën për t’u rigrupuar. Ata tani e kanë selinë sërish, edhe pse kanë shumë bashkëpunëtorë në vende të ndryshme në Lindjen e Mesme. Ata kanë njerëz në Somali, Jemen dhe Siri. Unë mendoj se do të jetë shumë e vështirë të frenohet kërcënimi i xhihadit në Afganistan.
A nuk është dega afgane e Shtetit Islamik (ISIS) tani më e rrezikshme?
Epo, unë mendoj se ISIS Khorasan është një i sapoardhur në terren në Afganistan. Por po, ata janë të rrezikshëm dhe janë të rrezikshëm jo vetëm kundër nesh dhe interesave tona. Ato janë gjithashtu të rrezikshëm për talebanët dhe Al-Kaidën. Grupi tërheq të gjithë ata luftëtarë që u shkëputën nga Al-Kaida dhe talebanët duke besuar se talebanët nuk janë aq të aftë sa duhet nga ana fetare. Dhe është interesante: Edhe shumë fraksione brenda talebanëve janë bashkuar me ta, duke besuar se ekziston kalifati i premtuar për të cilin ata duan të luftojnë.
Presidenti Joe Biden deklaroi në fjalimin e tij javën e kaluar se nuk kishte alternativë për tërheqjen e SHBA nga Afganistani. Pajtoheni me këtë?
Le të jemi të qartë: Ne e humbëm luftën në Afganistan, sipas mendimit tim, në vjeshtën e vitit 2002. Atëherë kur administrata e George W. Bush filloi të zhvendoste shumë burime të rëndësishme për t’u përgatitur për luftën në Irak në një kohë kur Al-Qaida dhe talebanët po rigrupoheshin në Afganistan. Dhe kjo ishte një goditje e rëndësishme për çdo përpjekje konstruktive. Më pas ne lamë pas dore shumë çështje të tjera që kanë të bëjnë me korrupsionin, me respektimin në thelb të Afganistanit dhe mënyrës si është ndërtuar ai. Disa administrata amerikane e kishin idenë se si duhet të jetë Afganistani, por nuk e kuptuan as se si është në të vërtetë. Unë mendoj se ky ishte një nga problemet tona më të mëdha.
Pra, SHBA dështuan sepse nuk bënë një përpjekje mjaft të fortë për të njohur më mirë armikun e tyre?
Absolutisht. Afganistani është një vend fisnor në shumë rajone të ndryshme, me grupe të ndryshme etnike. Shumica e afganëve nuk i besuan qeverisë për shkak të korrupsionit. Kur ata kishin një problem, nuk shkonin në qeveri. Ata shkonin te pleqtë për të zgjidhur shumë nga këto çështje. Kjo është një mundësi që ne e humbëm. Do të na duhej një politikë e bazuar në kulturën e vendit, e bazuar në kulturën në Kabul dhe kulturën në Herat, kulturën në Mazar-e-Sharif dhe jo në kulturën e Uashingtonit. Unë mendoj se ky ishte një nga problemet më të mëdha.
Misioni në Afganistan përfshinte katër presidenca amerikane. A mbajnë të gjithë ata përgjegjësi të barabartë për atë që ndodhi?
Unë mendoj se ne mund të flasim për një dështim kombëtar, një humbje kombëtare. Kjo humbje është për shkak të dy administratave demokrate dhe dy administratave republikane. Çdo administratë bëri shumë gabime. Administrata e Bushit bëri shumë gabime në lëvizjen e burimeve të nevojshme për t’u përqendruar në Irak dhe më pas duke u përqendruar në Irak. Administrata Obama madje dërgoi më shumë trupa dhe, për tetë vjet, shpresonte se do të ndodhte diçka e mrekullueshme. Administrata Trump është përgjegjëse për moskuptimin e situatës fare dhe hapjen e negociatave vetëm me talebanët dhe shpërfilljen e qeverisë afgane dhe lirimin e 5 000 luftëtarëve talebanë pa kërkuar nga talebanët asgjë në këmbim. E pabesueshme.
Si prisni që gjërat të vazhdojnë tani?
Unë mendoj se talebanët nuk do të veprojnë ashtu siç kanë vepruar më parë. Unë mendoj se ata do të kenë një stil të ndryshëm për të bërë gjëra sepse kanë mësuar shumë në 20 vjet. Ata kanë mësuar shumë se si të jenë më pragmatikë. Ata dinë të jenë më politikë. Dhe ata duan të jenë pjesë e kësaj loje të madhe gjeopolitike – konkurrenca e fuqisë midis Shteteve të Bashkuara dhe midis Kinës. Talebanët tani po punojnë me pakistanezët, ata kanë hapur kanale për iranianët, ata po takohen me kinezët në lidhje me investimet dhe programet e infrastrukturës për vendin. Por kjo është vetëm fasada. Ata nuk kanë ndryshuar në thelb. Qëllimet e tyre vazhdojnë të jenë të njëjta.
Çfarë do të thotë kjo për Perëndimin?
Ne na duhet urgjentisht një Plan B tani, një strategji e re për të parandaluar al-Kaidën ose xhihadistët apo edhe talebanët nga planifikimi dhe komplotimi i sulmeve kundër Perëndimit. Ne duhet të gjejmë hapësirë operacionale ku mund t’i kontrollojmë këto grupe terroriste. Unë mendoj se i vetmi vend ku mund të angazhohemi politikisht, diplomatikisht dhe, nëse është e nevojshme, ushtarakisht është në Doha sepse kemi bazën më të madhe ushtarake atje.
Pra, prej aty SHBA do të planifikojë sulmet e saj të reja me dron në vitet e ardhshme për të mbajtur larg Al-Kaidën dhe ISIS-in në Afganistan?
Unë nuk jam tifoz i madh i këtyre sulmeve, veçanërisht pas atij të fundit në Kabul. Nga momenti kur civilët vriten nga këta dronë, ne po u japim terroristëve argument. Meqë jemi në këtë pikë, SHBA udhëhoqi sulme të panumërta me dron gjatë viteve të fundit dhe megjithatë, ne e humbëm luftën.
Por Biden theksoi se SHBA e përmbushi misionin e saj aktual për të luftuar terrorizmin në Afganistan. Ai tha se lufta kundër terrorizmit ishte jashtëzakonisht e suksesshme.
Ju mund ta shihni ashtu, por unë jo. Në shtator 2001, ne kishim 400 deri në 500 luftëtarë të Al-Kaidës në Afganistan (të cilët ishin besnikë ndaj Osama bin Laden). Plus kishte “luftëtarët të huaj” dhe baza në vende të ndryshme në Lindjen e Mesme. Nëse e shikoni sot, Al-Kaida ka ushtri në vende si Sahel, në Jemen dhe në Siri. Shteti Islamik doli nga ai grup. Pra, kush po fiton vetëm me numrat e thjeshtë dhe faktet në terren? Ne shpenzuam katër ose pesë trilion dollarë për luftën kundër terrorizmit dhe dy pushtimet e dy vendeve.
Kur e sheh tani 20 vjet pas sulmeve të 11 shtatorit, ky është një vlerësim shumë i zymtë.
Unë nuk mund të dal në ndonjë përfundim tjetër. Para 11 shtatorit, ne ende kishim përfaqësime diplomatike në rajon – në Libi, në Siri, në Jemen. Ambasada jonë në Sanaa në Jemen ishte një nga ambasadat kryesore në Gadishullin Arabik. Ne kishim një lloj marrëdhënieje pune me disa aktorë në rajon. Të gjitha këto ambasada nuk ekzistojnë më. Kjo është katastrofike. Kjo nuk është fitore. Ndërkohë, kinezët po negociojnë me talebanët në Kabul për projektet e tubacionit.
Ju ishit një nga njerëzit e parë që dëshmuat teknikat e reja të marrjes në pyetje dhe metodat e torturës që Pentagoni autorizoi për përdorim pas sulmeve të 11 shtatorit 2001. Çfarë dëmi kanë bërë ato metoda?
Ne e humbëm besueshmërinë tonë – jo vetëm në botën arabe, por në mbarë botën. SHBA gjithmonë thoshte, ne jemi këtu për të drejtat e njeriut, ne jemi këtu për lirinë. Ne duam që njerëzit të kenë vetëvendosje. Dhe pastaj ne filluam të bënim të njëjtën gjë që njerëzit në botë e shohin në qeverinë kineze ose qeverinë e Koresë së Veriut – ne torturuam të burgosurit tanë.
Administrata amerikane madje gënjeu për këtë me vite – ata as nuk u thanë të vërtetën qytetarëve të tyre. Pra, pas 11 shtatorit, ne jo vetëm që dështuam në përpjekjen për ta njohur armikun tonë më mirë. Ne gjithashtu harruam se kush jemi edhe vetë.
Përktheu: Gazmira Sokoli