Ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis, kritikoi të premten Presidentin rus Vladimir Putin dhe e quajti sulmin e Rusisë në Ukrainë, “marrëzi e tregues paaftësie”.
Në një fjalim në Seul, zoti Mattis e krahasoi Presidentin Putin me një lloj personazhi paranojak, që përmendet në librat e shkrimtarit rus, Fyodor Dostojevsky.
“Putini është një krijesë që ka dalë nga librat e Dostojevskit. Ai bie në shtrat çdo mbrëmje i zemëruar, i frikësuar, e sheh një Rusi të rrethuar nga makthet”, tha zoti Mattis.
Ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes ka bërë relativisht pak komente publike, që pas dorëheqjen së tij nga detyra e shefit të Pentagonit, në vitin 2018, për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi politikën e jashtme, me ish-Presidentin Donald Trump.
Zoti Mattis nuk foli drejtpërdrejtë rreth këtyre mosmarrëveshjeve, por tha se zoti Trump zbatoi një politikë të jashtme jotradicionale e cila sfidoi marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me aleatët e saj.
Komentet e zotit Mattis u përqëndruan tek zoti Putin. Ai e portretizoi atë si një njeri të çekuilibruar e të paaftë për të marrë vendime të zgjuara, për shkak të mungesës së njerëzve që i japin këshilla të shëndosha.
I pyetur se cili është mësimi më i rëndësishëm që mund të nxirret nga lufta e Rusisë në Ukrainë, zoti Mattis u përgjigj: “Nuk duhen zgjedhur gjeneralë të paaftë në krye të operacioneve”.
Ai tha gjithashtu se sulmi i Rusisë ishte një sulm “taktikisht joprofesional dhe i pamenduar nga pikëpamja strategjike”.
Ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes kritikoi gjithashtu forcimin e marrëdhënieve të Kinës me Rusinë, si dhe mungesën e gatishmërisë së Pekinit për të kundërshtuar luftën e Moskës në Ukrainë.
Një vend “nuk mund të jetë i madh, nëse mbështet sulmin kriminal të Rusisë në Ukrainë”, tha ai.
Duke iu referuar periudhës që shërbeu si shef i Pentagonit gjatë administratës së Presidentit Trump, zoti Mattis foli për një “kohë të trazuar” dhe e quajti ish-presidentin një “udhëheqës të pazakontë”, por pa e kritikuar drejtpërdrejt.
“Demokracitë nganjëherë mund të jenë populiste dhe ndonjëherë thyejnë traditën”, tha ai. “Është në natyrën e demokracive ndonjëherë, që të vënë në provë idetë e gjithçka”.
Amerikanët, tha zoti Mattis, duhet të përgjigjen duke ruajtur besimin tek “institucionet” si dhe “tek ata me të cilët nuk pajtohen”.
Zoti Mattis e mbajti fjalimin në Korenë e Jugut, një vend aleat i SHBA-ve, i cili ndjeu në mënyrë dramatike ndikimet e politikës së jashtme jotradicionale të zotit Trump.
I pyetur se çfarë mendonte mbi takimet e zotit Trump me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un, zoti Mattis tha se megjithëse ai nuk ka qenë kurrë optimist mbi rezultatin e bisedimeve, përpjekja diplomatike sipas tij, ishte “gjëja e duhur për t’u bërë”.
Zoti Mattis vlerësoi gjithashtu qasjen, që po zbaton presidenti i ri i Koresë së Jugut Yoon Suk Yeol, i cili synon që vendi i tij të luajë një rol më të madh në arenën ndërkombëtare.
Zoti Yoon, me pikëpamje konservatore, ka përqafuar në mënyrë të qartë politikat e Shteteve të Bashkuara. Ai mori pjesë në takimin e NATO-s që u mbajt në Madrid, duke shënuar herën e parë, që një udhëheqës i Koresë së Jugut merr pjesë në një takim të tillë.
Zoti Mattis vlerësoi praninë e zotit Yoon në takim, duke thënë se kjo gjë është në interesin më të mirë të Perëndimit.
Por ai kritikoi ato zëra në Seul, të cilët kohët e fundit kanë bërë thirrje që Koreja e Jugut të ketë armët e veta bërthamore.
“Nuk keni nevojë për armë bërthamore në gadishull për të siguruar parandalimin e tyre në shkallë të gjerë, dhe për sa kohë që ekziston besimi mes Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara”, tha zoti Mattis.
Anketat e opinionit publik tregojnë vazhdimisht se shumica e koreano-jugorëve mbështesin idenë e pajisjes së vendit me armë bërthamore, në kushtet kur Koreja e Veriut vazhdon të rrisë arsenalin e vet bërthamor.
Gjatë periudhës së kandidimit të tij për president, zoti Yoon tha se do t’i kërkonte Shteteve të Bashkuara që të arrinin një marrëveshje për ndarjen e armëve bërthamore, ose ridislokimin e armëve taktike bërthamore, që Uashingtoni tërhoqi nga Koreja e Jugut në fillim të viteve 1990. Një gjë e tillë u refuzuar menjëherë nga Departamenti amerikan i Shtetit.
Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut duhet të vazhdojnë të forcojnë besimin mes tyre duke treguar vendosmëri kundër qasjes së Phenianit për rritjen e kapaciteteve të tij bërthamore tha zoti Mattis.
“Duhet të bëni çdo gjë që ju vetë të mos pajiseni me këto armë, pasi ato janë të tmerrshme”, tha ai.