Ish-zyrtari i FBI-së, Charles McGonigal u deklarua i pafajshëm sot në gjykatë, lidhur me akuzat se ka marrë para nga një ish-punonjës i shërbimeve inteligjente shqiptare dhe për mos-raportimin e kontakteve dhe lidhjeve dhe zyrtarë të shteteve të tjera.
Siç vihet në dukje në akt-padi ai ka patur kontakte të shumta mes të tjerash me biznesmenë, ish-zyrtarë dhe zyrtarë shqiptarë.
Në një seancë të gjykatës së Uashingtonit që zgjati më pak se 15 minuta dhe ku i pandehuri McGonigal mori pjesë virtualisht, u ra dakord që ai të gjykohej në gjendje të lirë dhe që seanca e ardhshme të mbahet në një moment të dytë. Seanca u përqendrua kryesisht në detajet teknike të procesit.
Të hënën, ai nuk i pranoi akuzat e tjera të ngritura ndaj tij në Nju Jork, se ka shkelur sanksionet amerikane ndaj Rusisë duke punuar për oligarkun rus Oleg Deripaska. Gjykata vendosi që ta lërë të lirë kundrejt garancisë prej 500,000 dollarësh, gjatë kohës që do të zhvillohet procesi gjyqësor.
Ndërsa largohej nga gjykata, avokati i McGonigal, Seth DuCharme, u tha gazetarëve se klienti i tij “ka pasur një karrierë të gjatë dhe të shquar me FBI-në”.
“Kjo është padyshim një ditë shqetësuese për zotin McGonigal dhe familjen e tij, por ne do t’i shqyrtojmë provat, do t’i shqyrtojmë nga afër dhe kemi shumë besim te z. McGonigal,” tha DuCharme.
McGonigal, i cili doli në pension në vitin 2018, luajti një rol në hetimet e ndjeshme dhe të profilit të lartë, duke përfshirë hetimin e Robert Mueller mbi lidhjet e supozuara të Rusisë me fushatën presidenciale të Donald Trump në 2016.