50-vjeçari shqiptar që u vra sot në Selanik dhe autori njiheshin prej kohësh me njëri-tjetrin. Ndërkohë, identiteti i shqiptarit që mbeti i vrarë nuk është bërë ende publik. Hetuesit grekë besojnë se ngjarja e rëndë kriminale nuk ndodhi aty për aty.
Siç raportojnë mediat greke, viktima dhe autori kanë qenë më herët së bashku në një lokal pranë zonës ku ndodhi krimi.
Mes tyre nisi një përleshje. Arsyet e sherrit nuk dihen, por autoritetet greke dyshojnë se mund të lidhet me probleme financiare.
Pas konfrontimit në lokal, të dy u larguan me makinat e tyre. Më pas u gjendën në të njëjtën pikë karburanti në rrugën Solonos të Selanikut.
50-vjeçari shqiptar ndodhej në karburant për të furnizuar makinën. Ndërsa paralelisht në rrugën kryesore kishte ndaluar makina e autorit, tip Peugeot ngjyrë e zezë.
Kamerat e sigurisë kanë filmuar të gjithë krimin. Viktima shihet te dritarja e makinës së autorit dhe godet me zinxhir personin që ndodhet brenda mjetit.
— kakajason (@kakajason50) July 13, 2023
Por në këtë moment ai qëllohet me pistoletë nga brenda makinës dhe bie përtokë. Ndërsa vrasësi largohet me shpejtësi me makinë nga vendngjarja.
50-vjeçari shqiptar mori 3 plumba në kraharor dhe ndërroi jetë rrugës për në spital.
Sa i përket autorit, nuk është identifikuar ende, ndërsa policia greke po zhvillon një aksion të gjerë për ta arrestuar.