7 turistët nga Polonia dhe Gjermania, që kishin mbetur të bllokuar në kanionin e Langaricës, për shkak të reshjeve të rrëmbyeshme të shiut janë shpëtuar nga policia.
Ata kishin mbetur të bllokuar në vendin e quajtur “Shpella e Pëllumbave”, duke eksploruar me këmbë zonën, për shkak të rritjes së nivelit të ujit në lumin e Langaricës, nga reshjet e shiut.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse dhe shërbimet e zonave të mbrojtura, u nisën në drejtim të zonës ku kishin mbetur të bllokuar turistët dhe bënë të mundur shpëtimin e tyre.
Të gjithë turistët ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore. Ata kanë falënderuar shërbimet e Policisë dhe shërbimet e tjera, për përkushtimin dhe humanizmin e treguar, si dhe për ndihmën e dhënë.