Arjola Demiri u shpreh se komentet e Luiz Ejllit për të brenda shtëpisë së “BBV” “u kthyen pak në personale”. Në një bisedë në “Big Brother VIP Fan Club”, ajo komentoi deklaratën e Luizit për të.
“Duke parë shoqërinë time që e duan dhe përkrahin shumë Luizin, bëra një postim nga Amerika për Luizin. Një ditë më mbrapa, pashë se Luizi kishte thënë se ishte banorja më e shtirur e BBVA-1 dhe shkas ishte bërë edhe shtëpia që është dhuruar nga BBVA-1 dhe që (sipas tij) nuk e doja shtëpinë për fëmijët, por për vete”, tha Arjola.
“E gjej pak të ulët. Nuk më bën sens. Unë nuk kam kërkuar shtëpi, por kam thënë se çmimin e dua për shtëpinë për fëmijët. E gjej pak të ulët që të thuash se ‘isha një banore fallso’. Ai nuk është shok i ish-bashkëshortit tim, por nuk e di nga e kishte këtë informacion dhe ca budallallëqe të tjera, ku futi edhe fëmijët e mi në mes,” shtoi më pas.
Megjithatë aktorja u shpreh se pavarësisht komenteve, ajo nuk ka dashur që të reagojë, sepse “ai do të dalë jashtë dhe do të kenë mundësinë që ta diskutojnë”.
Në fund të janarit, banorëve iu kërkua të diskutonin mbi banorët e edicionit të kaluar.
“Babain e fëmijëve të saj unë e njoh dhe nuk u mungon absolutisht asgjë fëmijëve të saj, as jeta e luksit, as shtëpia, absolutisht asgjë. Arjola ka qenë lojtarja më fallso, nga fillimi deri në fund. Përsa u përket lotëve, është mëse normale që nëna për fëmijët do qajë. Ajo që nuk më pëlqente ishte fakti që çdo dy ditë, do të përmendte fëmijët. Me gjithë respektin, por edhe të tjerët kishin fëmijë aty, kishin nëna, motra etj. Arma e vetme e saj ishte ‘përmend fëmijët, qaj, përmend fëmijët, qaj’. (Për mua ishte) viktimizim,” u shpreh Luizi për Arjolën. “Ajo shtëpinë e gëzoftë, por nuk është se i kishte fëmijët në rrugë, përkundrazi.”