Kryesore Ishte dënuar me 150 vite burg, vdes arkitekti i mashtrimit më të...

Ishte dënuar me 150 vite burg, vdes arkitekti i mashtrimit më të madh në histori

Bernie Madoff ka ndërruar jetë në burg, në moshën 82-vjeçare. Ai është konsideruar arkitekti i një prej mashtrimeve më të mëdha në histori.

Madoff u arrestua në dhjetor 2008 pasi dikush e raportoi tek autoritetet për krimin që ishte duke kryer, që më vonë u zbulua se denoncimi ishte bërë nga një prej djemve të tij. Ai u dënua me 150 vjet burg për mashtrim dhe pastrim parash.

Skema mashtruese që Madoff kishte krijuar arrinte në shifra 50 miliardë dollarë dhe konsiderohet si një nga më të mëdhatë në botë.  Ajo funksiononte prej disa vitesh radhazi dhe askush, as autoritetet dhe as investitorët, nuk e kishin vënë re.

Lindur më 29 prill 1938, Madoff themeloi kompaninë e tij të parë në 1960 duke investuar 5,000 dollarë të fituara si roje plazhi.

Më pas ai u zgjodh president i Nasdaq, në të cilën kishte arritur të tërhiqte kompani të njohura si Apple, Sun Microsystems, Google dhe Cisco System. Pozicioni që ai mbajti i kishte dhënë një reputacion të shkëlqyeshëm dhe për këtë arsye gëzonte një besim të pakushtëzuar, mbi të cilin ai bazoi mashtrimin e tij.

Megjithatë, kriza e Wall Street-it e vitit 2008 prishi skemën gati perfekte të Madoff, i detyruar t’iu rrëfejë fëmijëve të tij se pasuria e kompanisë ishte e rremë.

Madoffi konsiderohej si gjeni i Wall Street-it

Madoff u shndërrua në fytyrën e krizës financiare që përfshiu Wall Street-in në fund të vitit të kaluar. Ai ishte i pari që u arrestua për drejtimin e një skeme piramide. “Ponzi” ishte një skemë financiare piramidale, në të cilën për vite me radhë është abuzuar me thithjen e vazhdueshme të investimeve. I vlerësuar prej klientëve të tij si shpëtimtar, Madoffi konsiderohej si gjeni i Wall Street-it.

Nga një njeri i thjeshtë nga lagja Queens e Nju-Jorkut ai e nisi lojën në bursë me një kapital fillestar prej 5.000 dollarësh. Por premtimet për pasurim të shpejtë që u jepte klientëve ishin thjesht vjedhje. Sipas hetuesve Madoffi nuk ka kryer asnjë veprim me aksione. Me paratë e viktimave pasuese ai paguante interesin e depozituesve të mëparshëm.

Vetëm kriza financiare bëri që kështjella prej kartoni të rrëzohet. Nga rezidenca luksoze në Manhaten Madoff-it i kaloi vitet e mbetura të jetës në qeli. Ai ishte i vetmi njeri në botë që e dinte edhe vetë se kjo ditë do të vinte: “Me kalimin e viteve unë e realizova, që kjo ditë do të vinte në mënyrë të pashmangshme”, pati pranuar Madoff.