Fqinjët e 41-vjeçarit të vrarë paraditen e sotme në lagjen “16 prilli”, në Fier shprehen të tronditur për ngjarjen. Në një deklaratë për mediat pas vrasjes, një prej fqinjëve ka deklaruar se ai ishte djalë i edukuar dhe i shoqërueshëm.
Sipas tij Elton Javori jetonte me familjen e tij, ndërsa vëllezërit e tij jetojnë në Gjermani.
“Ai jetonte me familjen, ka babanë, nënën, vëllezërit i ka në Gjermani Ky djalë ka qenë i mrekullueshëm, djalë i edukuar, djalë i shoqërueshëm. Ne e kemi shok”, shprehet fqinji.
Javori dyshohet se u ekzekutua me një plumb pistolete, për shkaqe dhe në rrethana momentalisht të panjohura. Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen “16 Prilli”, rreth 100 metra nga shtëpia e tij. Teksa nuk ka ende shumë detaje për këtë vrasje, gazetarja Anila Sefa, në një lidhje direkte në Klan News tha se 41-vjeçari nuk njihej si problematik në zonë e as nuk rezulton me precedentë penalë. Sipas banorëve, Javori u qëllua sapo zbriti nga makina. Ai mësohet se kishte rreth 3 muaj që ishte kthyer nga Gjermania.
“Ai është banor i kësaj zone, rreth 100 metër ka banesën. Është një ngjarje që sapo ka ndodhur, është ende e paqartë situata, por e shtëna ka ardhur nga një pistoletë dhe ka vetëm një plumb në qafë, pra dyshohet se është qëlluar nga afër. Viktima nuk njihet si problematik në zonë. E njohin si një njeri të qetë që nuk ka shkaktuar ndonjëherë probleme në zonë, as policia nuk e ka një informacion nëse ka qenë i dënuar më parë apo jo. Do të duhet pak kohë për të zbardhur dinamikën e saj”, tha Sefa mes të tjerash.
Në njoftimin e saj për mediat, policia tha se e ka identifikuar autorin e dyshuar të kësaj ngjarjeje dhe aktualisht po punon për kapjen e tij.