Bota Ishte fshehur midis rrotave të avionit, i riu i mbijeton fluturimit nga...

Ishte fshehur midis rrotave të avionit, i riu i mbijeton fluturimit nga Algjeria për në Paris

Mund të duket e pabesueshme, por një burrë ka realizuar kalimin ilegal nga Algjeria për në Francë, duke u fshehur në pjesën e rrotave të një avioni që u ul në aeroportin Orly të Parisit.

Autoritetet franceze e gjetën të gjallë, por me hipotermi të theksuar burrin rreth të 20-ve që ishte fshehur në ndarjen midis rrotave të një avioni tregtar.

Ai u gjet gjatë kontrolleve teknike pasi fluturimi i “Air Algerie” nga Orani, u ul në Paris mesditën e së enjtes.

“Ai nuk kishte letërnjoftim dhe u dërgua në spital në gjendje të rëndë”, njoftuan autoritetet franceze.

Avionët komercialë fluturojnë në lartësinë 9000 deri në në 12000 metër, ku temperaturat zakonisht janë në rreth -50 gradë celsius dhe mungesa e oksigjenit e bën të pamundur mbijetesën për këdo që udhëton mes rrotave të tyre.

Zbulimi i këtij rasti vjen pas atij të prillit të këtij viti, ku trupi i një burri u gjet midis rrotave të një avioni në aeroportin Schiphol të Amsterdamit, pasi kishte fluturuar nga Nigeria.

Ndërkohë, në korrik 2019, trupi i ngrirë i një burri ra në kopshtin e një banese në periferi të Londrës, pasi ishte fshehur në ndarjen midis rrotave të një avioni të Kenya Airways që do të ulej në aeroportin Heathrow.