Nëna e Martinit 14-vjeçar i cili u vra pranë shkollës së tij 3 ditë më parë, ka dërguar një mesazh në protestën e organizuar pas vrasjes së tij.
Në mesazhin e saj nëna shpreh pikëllimin për humbjen e djalit të saj të mitur dhe falënderon protestuesit e shqiptarët për mbështetjen në këto momente të vështira.
“Nuk mendoj që ka fjalë që e përshkruan këtë dhimbje që na ka lënë një boshllëk të madh që nuk do të mbushet kurrë. Falënderoj gjithë popullin shqiptar anembanë dhe FSHF, për praninë dhe mbështetjen në këto momente të vështira. Nuk di sa mirënjohëse mund të them që jam për ato që iu gjendën aty Martinit në momentet e tij të fundit. Ju falënderoj nga zemra. Martini ishte i mbushur me ëndrra dhe jetë! Ia morën të dyja. Si nënë që jam uroj nga thellësia e shpirtit që askush mos u sprovoftë me dhimbje të tilla. Respekte Florina dhe Angel Cani”.
Fjalën në protestë e mori edhe motra e shokut të klasë së 14-vjeçarit të vrarë. Ajo tha se Ministria e Arsimit mban fajin kryesor për këtë çështje dhe duhet të mbajë përgjegjësi.
“Martini ishte shumë më tepër se një fëmijë me ëndrra dhe energji të pashtershme. Ishte shembull i pastërtisë, gëzimit dhe i shpresës që të rinjtë sjellin në botën tonë…
Duhet të kërkojmë drejtësi. Martini nuk është më me ne për shkak të neglizhencës dhe papërgjegjshmërisë së tyre që kanë detyrë të kujdesen për fëmijët tanë, për vëllain tim. Ministria e Arsimit mban fajin kryesor për këtë çështje dhe duhet të mbajë përgjegjësi për çdo gabim, për çdo masë të munguar dhe për çdo rrezik që kërcënon mirëqenien e fëmijëve”, u shpreh ajo.