Dhoma e Përfaqësuesve hoqi ligjvënësen Marjorie Taylor Greene nga të gjitha komisionet e kongresit. Deputetja e re pro-Trump nga Xhorxhia ka ngjallur debat, por ka marrë dhe mbështetje për disa deklarata kontroverse përpara se të zgjidhej.
Demokratët organizuan votimin pasi dështuan të bindin lidershipin republikan ta hiqte atë nga detyrat që kishte në komisione.
“Jam thellësisht e shqetësuar me lidershipin republikan të dhomës së përfaqësuesve që pranojnë teoricienë konspirativë ekstremistë; anëtarë të QAnon. Besimtarë të 11 shtatorit, tallës të fëmijëve të mbijetuar nga sulmet në shkolla”, tha Nancy Pelosi, kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve.
Edhe pse disa anëtarë të partisë së vjetër thonë se mbesin të bashkuar, analistët pohojnë se Greene po shkakton tension dhe përçarje brenda republikanëve. Disa burime thanë për CNN se Greene ka ulur tonet dhe gjatë një mbledhjeje të republikanëve të dhomës së përfaqësuesve, ligjvënësja nga Xhorxhia ka përdorur një retorikë pajtuese, gjë për të cilën mori dhe një duartrokitje.