Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan po vijon me intensitet zbatimin e masave të planit operacional mbarëkombëtar “Sundimi i Ligjit”. Në kuadër të këtij plani, në Belsh u arrestua një 38-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimin drejt Italisë.
I arrestuari, O.B., banues në Belsh, akuzohet nga Gjykata e Firences për trafikim të lëndëve narkotike. Gjykata italiane i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për këtë vepër penale, e cila është e parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.
Operacioni u krye falë informacioneve të siguruara nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Interpol Tiranën dhe shërbimet e Forcës Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan. Pas shkëmbimit të informacioneve dhe koordinimit të operacionit, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja e 38-vjeçarit.