Një 30-vjeçar që ishte në kërkim për mashtrim nga 4 Drejtori Vendore të Policisë është arrestuar në Berat. Autoritetet sqarojnë se kanë vënë në pranga 30-vjeçarin me iniciale E.K., i cili ishte në kërkim nga Komisariati i Policisë Kuçovë, Komisariati i Policisë Durrës, Komisariati i Policisë Nr. 6 Tiranë dhe DVP Lezhë, për veprën penale “Mashtrimi”.
Ky person merrte makina me qira dhe nuk i dorëzonte më, pasi i kthente në pjesë këmbimi ose i braktiste në rrugë.
Policia gjeti të fshehur në afërsi të banesës së tij në Kuçovë një armë zjarri pistoletë, e cila gjatë hetimeve të para hetimore rezultoi se i përkiste 30-vjeçarit.
Gjithashtu nga kontrollet është gjetur e fshehur një armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak. Për armën e dytë vijon puna për zbulimin dhe kapjen e poseduesit të saj.
Të dy armët e zjarrit të sekuestruara do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme, pasi dyshohet se janë përdorur në ngjarje kriminale të ndodhura më parë.