Një mjeke në qytetin e Nju Yorkut që ishte në vijën e parë të luftës kundër virusit Covid-19 në SHBA është vetëvrarë, duke shkaktuar tronditje të thellë në vend.
BBC raporton se Dr. Lorna Breen, drejtoreshë e departamentit të urgjencës në Spitalin e Nju York-Presbyterian Allen në Manhattan, ndërroi jetë nga plagët e shkaktuara vetvetes, sipas njoftimit të policisë.
Babai i 49-vjeçares, Dr Philip Breen, i tha Neë York Times: “Ajo u përpoq të bënte punën e saj dhe kjo i mori jetën”.
Nga 56 mijë viktima në SHBA nga koronavirusi, 17.500 janë në Nju York. I ati shtoi se e bija nuk kishte pasur asnjë histori të sëmundjeve mendore. Ajo vdiq në Charlottesville, Virxhinia, ku po qëndronte me familjen e saj.
Edhe Lorna vetë ishte sëmurë gjatë punës me koronavirus, por e kishte marrë veten dhe rreth një javë e gjysmë pas rikuperimit, që kthyer në punë. Spitali e kishte dërguar përsëri në shtëpi, përpara se familja e saj “të ndërhynte” për ta sjellë në Charlottesville, tha babai.
Ai shtoi se herën e fundit që kishin folur bashkë, ajo i kishte treguar sesi po vdisnin pacientët me Covid-19 që përpara se të mund t`i merrte ambulanca. Dhjetra pacientë ndërruan jetë prej sëmundjes në spitalin me 200-shtretër në Manhattan.
“Ajo ishte vërtet në llogore në vijën e parë”, tha babai i saj për Times. ”Sigurohuni që të vlerësohet si heroinë. Ime bijë është viktimë po aq sa kushdo tjetër që ka vdekur”. Sipas gazetës, Dr Lorna Breen ishte një e krishterë e devotshme dhe shumë e lidhur me familjen. Një herë në javë, ajo shkonte vullnetarisht të vizitonte të moshuarit në një azil pleqsh.