Ngjarja që ndodhi mëngjesin e së hënës ka tronditur banorët në ishullin e Mikonos. Shqiptari Julian Kosova, i cili sipas mediave greke rezulton se kishte dy emra, edhe Visar Dakramaj, humbi jetën pasi u qëllua me armë nga një 33-vjeçar grek. Në media u shkruajt se gjithçka ndodhi për një femër. Është zbuluar se vajza në fjalë është një 23-vjeçare. Ajo ka dëshmuar të gjithë skenën edhe kur 33-vjeçari grek qëlloi mbi Kosovën.
E reja ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike. Ajo punon në një lokal nate në ishull dhe Protothema thotë se ka pasur një lidhje me shqiptarin dy vite më parë. Siç shkruajnë të tjera media, autori i ngjarjes kishte interes për vajzën dhe kur ka parë se mes saj dhe shqiptarit ka pasur një debat ka ndërhyrë. 23-vjeçarja, sipas të njëjtave burimeve, pretendon se e gjithë ngjarja ndodhi për shkak të një keqkuptimi.
“Ishte një keqkuptim. Nuk ishte për mua. Ishte thjesht një keqkuptim”, u shpreh ajo për mediat greke.
Edhe pronari i lokalit ku ndodhi sherri ka dhënë dëshminë e tij. Sipas tij, vajza ka qenë vetëm në bar dhe më pas ka ardhur një prej djemve.
“Ajo nuk ishte në lidhje me asnjë prej tyre. Ata ishin klientë në lokal. Ata patën një debat në lokal dhe dolën jashtë për t’u sqaruar”, u shpreh ai.
Më tej pronari shton se nuk e di ku ndodhi vrasja ndërsa për 33-vjeçarin grek tha se ka qenë djalë i mirë dhe nuk përfshihej në sherre.
“Nuk kam fjalë”, tha ai.
Ndërkohë sipas asaj që njofton policia sherri mes të dyve ka ndodhur për 10 minuta.
“Sot, 20 Shkurt 2023 rreth orës 05:00 deri në orën 06:00 në zonën e Skylambela të Mykonos, jashtë lokalit u qëllua për vdekje me shotgan shtetasi shqiptar, Visar Dakramaj. Nga informacionet e policisë deri më tani, duket se më herët autori dhe viktima kanë pasur një argument brenda lokalit dhe pasi autori u largua, u rikthye për të qëlluar viktimën”, thuhet në dokumentet e policisë.
Pasi ka kryer krimin, autori ka lëvizur për mbi 1 orë me armën në makinë. Ai ka qenë nën ndikimin e alkoolit. Autoritetet pritet që të verifikojnë edhe nëse ka konsumuar drogë. Pas kësaj u vu në pranga.
“Autori u arratis pas këtij akti. Sidoqoftë si pjesë e kërkimit të policisë rreth orës 07:30 ai u shfaq në Komisariatin e Policisë në Mikonos dhe u arrestua, ndërsa u sekuestrua arma në mjet”, thuhet më tej.
33-vjeçari, sipas informacioneve, është vëllai i një zyrtareje në Bashkinë e Mikonosit. Ai përfaqësohet nga avokatja Elena Karygianni dhe linja e tyre e mbrojtjes pritet të bazohet në faktin e konsumimit të alkoolit bashkë me substanca të tjera.
Mediat sqarojnë se shqiptari jetonte prej vitesh në ishull. Ai njihej atje me emrin “Yannis”. 34-vjeçari kishte blerë një vilë në një prej zonave më të mira të Mikonosit.
Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar edhe kryebashkiaku Konstantinos Koukasis i cili ka siguruar banorët se ky është rast i izoluar dhe se jeta në Mikonos është e sigurt.