Aktualitet “Ishte nxënësja më e mirë”, shoqet e Hygerta Metës: Ishte pak depresive,...

“Ishte nxënësja më e mirë”, shoqet e Hygerta Metës: Ishte pak depresive, nuk kishte rrjete sociale

HYGERTA META

Hygerta Meta, e cila mori pjesë në vrasjen e të atit, pak ditë më parë në Shënavlash të Durrësit, përshkruhet nga shoqet e saj të universitetit si një person mjaft i mbyllur, e cila nuk preferonte që të shoqërohej shumë me të tjerë.

Edhe pas vrasjes së babait, ajo ka shkuar në auditor, ndërkohë që shoqet shprehen se gjatë një diskutimi në klasë për familjen ajo ishte ndjerë keq.

Vetë Hygerta, e cila përshkruhet prej tyre si nxënësja më e mirë, u ka dëshmuar shoqeve të klasës se prindërit e saj ishin shumë strikt, dhe e ndalonin që të kishte marrëdhënie shoqërore. Teksa kishte shkuar një shkollë pas vrasjes së babait, Hygerta iu kishte thënë shoqeve se i kishte vdekur një kushëri.

“Donte të jetonte në Tiranë, por ishte shumë e mbyllur dhe pak depresive. Edhe pas vrasjes së të atit erdhi në mësim, na tha që i kishte vdekur një kushëri. I pëlqente shoqëria, por sforcohej dhe rrinte vetëm. Nuk kishte rrjete sociale, nuk e përdorte telefonin. Na ka thënë që prindërit i kishte shumë strik. Na ka thënë që prindërit nuk e lejonin të fliste me shoqërinë. E donte shumë shkollën, ishte nxënësja më e mirë. Pas vrasjes ishte në tension. Gjatë një diskutimi në klasë për familjen, ajo uli kokën kur u shtrua pyetja nëse ne e përqafonim babanë”, shprehen shoqet e Hygertës për Report tv.