Kryesore “Ishte pacient i vështirë”, mjeku i Enver Hoxhës: Kur e kuptoi se...

“Ishte pacient i vështirë”, mjeku i Enver Hoxhës: Kur e kuptoi se jeta e tij…

“Blloku” është libri i cili Profesor Isuf Kalo publikoi këtë vit dhe ku rrëfehen sekretet që kanë ndodhur në zonën më të dëshiruar të kohës së komunizmit.

Mjeku personal i Enver Hoxhës ishte i ftuar këtë të premte në emisionin “Provokacija”, ku tregoi se ishte konsultuar fillimisht me familjarët e tij duke ditur natyrën e fortë që ky libër kishte përpara se ta botonte. Kalo tha se libri është i sinqertë dhe nuk është nisur për interes.

“Është libri i shkruar me sinqeritet, pa asnjë interes. Në moshën time kur i hyn diçkaje nuk synon të fitosh një emër, një gradë, a një post. Për kursin e jetës ku jam nuk mund të ketë mbetur ndonjë gjë që mund të më sillte ky libër përveçse telasheve më shumë. Kam qenë i sinqertë. Një gjë dua të kuptojnë lexuesit, askush më ka shtyrë apo më ka kërkuar që të shkruaj këtë libër sidomos ashtu siç e kam shkruar dhe nuk kam pasur asnjë cenim të cenoj, apo ofendoj dikë. Nuk gjeni atë libër asnjë fjalë fyese sharëse për njerëzit. Unë kam fotografuar ngjarjes, me një reflektim më pas. Është thjeshtë një pamje e parë nga brenda e Bllokut”, tha Kalo.

Mjeku i Enver Hoxhës rrëfeu edhe natyrën e fortë të diktatorit shqiptar. Ai edhe dy momentet e vështira të Enver Hoxhës, të cilat e shndërruan në një pacient bashkëpunues.

“Ka qenë pacient i vështirë në kuptimin që ne mjekët u diktojmë pacientëve. Enver Hoxha ishte natyrë që diktonte në jetë dhe ishte shans i keq që t’i prishja qejfin apo ta kundërshtoja Enver Hoxhës për një gjë që ai nuk donte. Pra në të vërtetë ishte pacient responsabël. Pasi doli me diabet dhe pasi u bë me infarkt ai e kuptoi që jeta e tij nuk ishte vetëm e tij, por ishte edhe e familjes dhe e shoqërisë dhe atëherë u bë pacient bashkëpunues. Një pacient bashkëpunues është shumë shpërblyes për mjekun, ia lehtëson punën. Enver Hoxha nuk ka dashur që ne ta diktojmë, as sëmundja ta diktojë, por ka pasur inteligjencën edhe mundësitë që të bashkëpunonte në lidhje me mjekimin e tij”, tha Isuf Kalo.

Në librin e tij, Kalo ka sjellë kujtimet e tij personale ku rrëfen raportet me personazhet e kohës, që nga diktatori Hoxha e deri tek bashkëshortja e tij Nexhmija Hoxha, Ramiz Alinë dhe shumë të tjerë që jetonin në zonën e Bllokut.