Ka marrë fund pas dy vitesh arratia e Andrew Bodes, i njohur ndryshe edhe si Edvin Bode. 45-vjeçari i akuzuar për vrasjen e Edmond Papës u arrestua në Memaliaj.
Policia thotë se organizoi operacionin e koduar “Plani” pas informacioneve për vendndodhjen e Bodes, por edhe të një personi tjetër që dyshohej se posedonte arsenal armësh në banesë.
“Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Në vitin 2022, ky shtetas, në bashkëpunim me 2 të tjerë, dyshohet se janë autorët e vrasjes së shtetasit Edmond Papa”, njoftoi policia sa i përket arrestimit të Bodes.
Bashkë me të u vu në pranga edhe Julian Kalemi. 42-vjeçari akuzohet nga policia se ka strehuar Boden.
Por operacioni i uniformave blu nuk është ndalur vetëm me arrestimin e tyre. Në aksionin që morën pjesë edhe forcat RENEA u arrestua edhe Andrea alias Adriatik Kalemi, të cilit në korrik të këtij viti i vranë babain, Shyqyri Kalemi.
52-vjeçarit iu gjetën 1 armë zjarri automatike, 1 armë gjahu, 1 gjerdan fishekësh, fishekë luftarakë, 2 silenciatorë, 1 jelek antiplumb, 40 145 Euro, mbi 400 mijë lekë dhe 3470 dollarë.
“Shtetasi Andrea alias Adriatik Kalemi, 52 vjeç, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit””, njoftoi policia.