Izraeli u mposht në sfidën e prapambetur me Kosovën në Prishtinë me rezultatin 1-0, por sulmuesi i miqve nuk i kurseu kritikat për gjendjen e fushës së stadiumit “Fadil Vokrri”.
Eran Zahavi e krahasoi atë me një stallë derrash dhe se gjithashtu skuadra e tij tashmë është e përqendruar te sfidat e radhës.
“Ishte më shumë stallë derrash se fushë futbolli. E kemi ditur se nuk do të jetë lehtë në secilën situatë dhe nuk morëm pikë sonte. Do të japim çdo gjë në ndeshjet me Zvicrën dhe Rumaninë. Gjasat nuk kanë ndryshuar aq shumë. Por natyrisht do të ishte më mirë sikur të fitonim”, ka thënë Zahavi pas ndeshjes.
Izraelitët thanë se në këtë ndeshje ndikoi edhe situata e luftës në vendin e tyre.
“Të gjithë ne mendojmë për familjet, për ushtarët dhe pengjet. Lufta është pjesë e jona, pasi vendi yt është më i rëndësishëm se futbolli. Por ne duhet të luajmë futboll që të përfaqësojmë vendin tonë sa më mirë”, tha trajneri Alon Hasan.
Kosova pas 8 ndeshjesh ka 10 pikë dhe renditet në vendin e katërt. Dardanët do të përballen me Zvicrën më 18 nëntor në Bazel dhe me Bjellorusinë më 21 nëntor në Prishtinë.