Zv/kryetari i grupit të CDU-CSU-së në Bungestagun gjerman, Johann Wadephul i kërkoi mazhorancës dhe Kuvendit të Shqipërisë që të votojë pa asnjë ndryshim draftin e Kodit Zgjedhor të dakordësuar në mes palëve në Këshillin Politikë.
Në një komunikim për mediat këtë të mërkurë, kryeministri Edi Rama e ka cilësuar deklaratën e tij zhgënjyese dhe përçmuese ndaj Kuvendit të Shqipërisë.
Rama tha se zoti Wadephul është mik i tij dhe i Lulzim Bashës, ndërsa shtoi se deklarata e tij se mos respektimi i marrëveshjes së 5 Qershorit mund të cënojë anëtarësimin e Shqipërisë në BE nuk qëndron.
Kryeministri Rama tha se Kuvendi është sovran dhe askush nuk mund të dalë mbi të.
“Gjermania është një pikë referimi e botës, por edhe e jona. Një lokomotivë e pazëvendësueshme që tërheq me shembullin e saj Europën. Deklarimi i Wadephul ishte zhgënjyes në planin etik, i nxituar në institucional dhe i zhbalancuar në planin politik. Unë e çmoj shumë përkushtimin e tij për të ndihmuar në lehtësimin e marrëdhënieve politike në Shqipëri, respekti dhe mirënjohja ime për çdo orë dhe nuk janë pak orë që ai ka shpenzuar për Shqipërinë. Por, ai e çmon shumë marrëveshjen e 5 qershorit, por deklarimi i djeshëm nënçmon shumë parlamentin e Shqipërisë, duke e trajtuar si të ishte një noter pa të drejtë fjale e një marrëveshje, e cila duhet zbatuar”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi më tej se koalicionet nuk do të ndalohen.
“Unë besoj që është koha që të gjithë të shikojmë faktet, t’i lëmë mënjanë aktorët, pëlqimet, paragjykimet, gjykimet e bazuara mbi fjalë apo dizinformacion. Çfarë po bën Shqipëria? Mos vallë Kuvendi po merr nisëm për t’i dhënë pushtet të pakufizuar dikujt? Jo! Çfarë po bën Shqipëria? Po u thotë qytetarëve që tani do të votoni edhe për deputetët që ju pëlqejnë, dhe kjo përbën arsye që perspektiva e Shqipërisë të errësohet? Nuk besoj. Çfarë po bën Shqipëria? Po heq koalicionet? Në asnjë mënyrë jo. Koalicionet as nuk do të ndalohen dhe nuk mund të ndalohen, ato thjeshtë do të jenë si në çdo vend të Europës, ku partitë kanë liri të grupohen dhe të paraqiten me kandidatët e tyre, sikur bën CDU-ja me CSU-në”, tha Rama.