Policia gjermane arrestoi një djalë 15-vjeçar në lidhje me sulmin fatal me thikë në qytetin perëndimor gjerman të Solingen. Adoleshenti, sipas asaj që shkruan BBC, nuk është i dyshuari kryesor, por besohet se ka pasur dijeni për sulmin përpara se të ndodhte.
Dy burra të moshës 56 dhe 67 vjeç, së bashku me një grua 56-vjeçare mbetën të vrarë në sulmin e mbrëmjes të së premtes, të cilin kancelari gjerman Olaf Scholz e cilësoi një “akt të tmerrshëm”.
8 persona të tjerë mbetën të plagosur.
Ndërkohë, përgjegjësinë për sulmin e mori i ashtuquajturi Shteti Islamik.
Për momentin nuk është e qartë lidhja mes autorit të ngjarjes dhe grupit terrorist.
15-vjeçari i lidhur me këtë çështje u ndalua mëngjesin e kësaj të premteje, pasi 2 gra raportuan se kishin dëgjuar një bisedë mes tij dhe një tjetër personi, ku diskutonin sulmin, tha policia gjermane.
Teksa adoleshenti mbetet në paraburgim, hetuesit po përpiqen të përcaktojnë se kush e ndërmori aktin e rëndë.
Motivi nuk dihet ende, por policia tha se nuk e përjashtonte terrorizmin. Para festivalit nuk kishte pasur asnjë kërcënim terrorist dhe në zonë nuk kishte siguri të lartë.
Policia po ashtu tha se kishin gjetur disa thika në vendngjarje dhe se po kryhen ekzaminime për të parë nëse ndonjëra prej tyre u përdor në sulm.
Autori nisi të godiste kalimtarët e rastit gjatë festivalit ku festohej 650 vjetori i themelimit të qytetit industrial të Solingen. Pas sulmit në zonë shpërtheu paniku, duke e bërë të vështirë për policinë që të mund të dallonte autorin.