Ardjan Ismajli që në debutimin e tij me Shqipërinë tregoi se mund t’i japë shumë përfaqësueses shqiptare në të ardhmen pasi u dallua qartë që është një futbollist me cilësi. Ish-kapiteni i 21-vjeçarëve të Kosovës ishte i pranishëm në konferencën për shtyp të kësaj të mërkure sëbashku me Frederic Veselin, teksa nënvizoi se ai ka vuajtur shumë gjatë gjithë karrierës së tij për të mbërritur këtu ku është sot.
“Gjatë gjithë karrierës time kam pasur shumë vuajtje. Janë bërë shumë padrejtësi ndaj meje. I jam lutur Zotit të vijë kjo ditë. Jam i lumtur që jam këtu. Besoj që do e shpërblej besimin në të ardhmen. Kemi shumë shanse të kualifikohemi. Franca është ekip i mirë. Kemi mundësi të mëdha të dalim të dytët”.
Ismajli pritet të aktivizohet titullar nga trajneri Panucci sëbashku me Gjimshitin në qendër të prapavijës, megjithatë futbollisti i Hajdukut të Splitit përsa i përket formacionit nuk zbuloi asgjë.
“Formacioni? Deri në ditën e ndeshjes nuk dimë asgjë. Ekipet janë të përziera, nuk e di askush kush do luajë. Ne jemi gjithmonë të gatshëm. Kemi edhe 2 ditë kohë të stërvitemi. Kush do luajë të tregojë më të mirën. Unë besoj se Turqia nuk është gjë në mbrojte. Mesfushën dhe sulmin e kanë të mirë, por s’duhet të kemi frikë. Besoj se do fitojmë”.
22-vjeçari ka besim se kuqezinjtë do të arrijnë ta mposhtin Turqinë në sfidën hapëse të kualifikuese të Euro 2020.
“Nuk është Turqia siç ka qenë më parë. Besoj se do ja dalim. Unë kam dy ndeshje që jam këtu. Kam luajtur me Mavrajn dhe Gjimshitin, për mua janë të gjithë njësoj. Nuk ka asnjë dallim”.
Përsa i përket vendosjes së skuadrës në fushë, Ismajli e pranoi se prioritet do t’i kushtohet mbrojtjes për të mos pësuar dhe për të kërkuar më pas golin e fitores.
“Trajneri e ka parë të arsyeshme të marrë më shumë mbrojtës, ndoshta do bëjmë lojë më mbrojtëse. Për sa i përket Andorrës jemi favoritë, ndërkohë me Turqinë do shikojmë si do shkojë ndeshja”.