Një i ri shqiptar është ndarë nga jeta të hënën pas një aksidenti tragjik në rrugët e Italisë. Mësohet se viktima është Franko Caushaj, 22 vjeç.
I riu humbi jetën pas përplasjes së makinës në një kthesë në mes të natës. Ngjarja ndodhi rreth orës 2:00 të mëngjesit të së hënës. Sipas asaj që shkruajnë mediat, Caushaj u dërgua në spital, por për shkak të plagëve të rënda ai humbi jetën në spital.
Ngjarja e rëndë ndodhi Zorlesco. 22-vjeçari sapo kishte dalë nga një lokal dhe nuk po i drejtohej shtëpisë në Casalpustelengo, por ishte nisur drejt Lodit. Pas disa kilometrash ndodhi aksidenti tragjik që i mori jetën. Makina u ngjit në trotuar dhe më pas u përplas me një pemë disa metra larg shtëpive të zonës.
Zhurma e frikshme e përplasjes bëri që banorët të dilnin nga shtëpitë dhe të lajmëronin menjëherë autoritetet kur panë makinën e shkatërruar. Caushaj kishte pësuar disa trauma të rënda në kokë dhe gjoks.
Policia po heton për të zbuluar shkaqet e aksidentit. Paraprakisht ata dyshojnë se shkak i ngjarjes mund të jetë bërë shpejtësia e lartë ose pagjumësia e shoferit.
Franko Caushaj jetonte prej vitesh me familjen në Itali. Ai njihej në zonë pasi punonte në disa prej lokaleve të frekuentuara.