Një bandë shqiptare është shkatërruar nga autoritetet italiane gjatë natës së 4 Korrikut në Milano. Siç shkruajnë mediat bëhet fjalë për tre shqiptarë, të cilët përshkruhen si të rrezikshëm. Ata janë Emanuel Macaj, 31 vjeç; Gentian Kurtulla, 26 vjeç dhe Xhovan Bela, 23 vjeç.
Hetimet ndaj të rinjve filluan më 3 Shkurt të këtij viti pas sinjalizimeve nga disa banorë të lagjes San Vito, të cilët raportuan se kishin parë një makinë “Audi S5” me disa persona të dyshuar brenda. Karabinierët e pikasën menjëherë mjetin, por shqiptarët u larguan me shpejtësi duke përdorur edhe manovra të rrezikshme. Më vonë u zbulua se “Audi” ishte vjedhur më 4 Tetor të vitit të kaluar. Gjithashtu edhe targat ishin vjedhur disa muaj më vonë.
Falë hetimeve më të thelluara u zbulua vendi se ku shqiptarët fshihnin mjetin për të shmangur gjurmët. Bëhet fjalë për një garazh në Pero. Më 4 Korrik, u organizua edhe operacioni, ku u bë e mundur kapja e tre të rinjve.
Gjatë kontrollit në mjet u gjetën një pistoletë, 100 gramë marijuanë, mjete që shërbejnë për të kryer grabitje, skaner që shërben për frekuencat e policisë si dhe bllokues sinjalesh. Ndaj tyre rëndojnë një sërë akuzash si rezistencë ndaj zyrtarëve të policisë, grabitje makine dhe targash, armëmbajtje pa leje si dhe posedim të lëndëve narkotike.