Një 30-vjeçar shqiptar është vënë në pranga në Itali pasi u kap me një sasi të konsiderueshme droge. Sipas autoriteteve lokale, atij iu gjetën mbi 40 kilogramë kokainë e pastër me vlerë 2 milionë euro. Por policia thotë se nëse do të pritej dhe do të dilte në treg, do të sillte fitime deri në 10 milionë euro.
Kontrolli në mjetin e shqiptarit, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, u krye të premten në mëngjes. Karabinierët e Ancona-s i gjetën aty 1 kilogram kokainë të fshehur.
Por pas kësaj, të riut, i cili qëndronte në Brescia, iu ushtrua një kontroll edhe në shtëpi. Aty gjetën edhe sasinë tjetër të kokainës e cila ishte e cilësisë më të lartë. Po ashtu, shqiptari kishte edhe një pistoletë me municion.
Sipas mediave, apartamenti përdorej si një laborator dhe magazinë. Aty u gjetën edhe para cash dhe mjetet e tjera të nevojshme për të ndarë sasinë e kokainës.
Mësohet se i riu shqiptar kërkohej nga Guardia di Finanza e Brescia-s. Tashmë ata shpresojnë që shqiptari të flasë për të bërë të mundur zbërthimin e të gjithë skemës kriminale dhe të gjithë personave të tjerë të përfshirë.