Alketa Kurti e Arben Kurti janë dy fëmijët e shqiptarit Shefki Kurti 72-vjeçarit, trupi i të cilit u gjet i copëtuar e i fshehur në katër thasë të zi, hedhur në lumin Adigetto në provincën e Rovigos.
Alketa jeton në Zvicër, ndërsa Arbeni jeton pak metra larg prindërve në komunën Badia Polesine. Është një DJ i njohur në zonën përreth e pronar i diskotekës “Babylon” që ndodhet ngjitur me apartamentin e prindërve.
Për mediat italiane ai ka rrëfyer se babai Shefki Kurti është larguar nga banesa më 22 korrik 2022 pas një grindje të vogël me nënën e tij, pra me bashkëshkorten.
Ai ka zbardhur se nuk është i vërtetë informacioni se ata nuk kanë denoncuar zhdukjen e babait. Më 24 korrik 2022, pra dy ditë nga largimi i Shefkiut nga banesa, Arbeni, i biri ka informuar policinë se babai i tij ishe larguar nga banesa pas një sherri me nënën.
Shkoi 40 vjeç në Itali
Historia e familjes Kurti është e ngjashme me mijëra familje të tjera shqiptare që kanë emigruar në Itali.
Në fillim të viteve 90 kanë mbërritur nga Durrësi në Itali e Shefkiu i cili ishte rreth 40 vjeç e baba i dy fëmijëve të vegjël, punonte si murator.
Ata fillimisht kanë jetuar në komunën Salvaterra e më pas kanë blerë apartamentin në Badia Polesine.
“Askush nuk e donte të keqen babait e as neve”, janë fjalët e Arbenit për median lokale italiane e shton se “ka besim tek drejtësia e tek gjetja e autorëve të këtij krimi,”
Prokuroria e Rovigos po heton për vrasje të qëllimshme, copëtim e fshehje trupi.
Shefki Kurti është larguar dhe pa marrë me vete as celularin nga i cili për momentin nuk është zbardhur asnjë detaj që mund të ndihmoj hetimet.
Sipas rrëfimit të fqinjëve, automjeti i tij tip Citroen në ngjyrë të zezë, nuk është parë për disa ditë pas largimit të Shefikut, por autoritetet policore e kanë gjetur të parkuar pak metra afër banesës.
Asnjë familjar i Shefki Kurtit nuk ka precedent penal apo probleme me drejtësinë.
Për momentin autoritetet kanë vënë në sekuestrim apartamentin ku jetonte çifti i të moshuarve e ngjarja vazhdon të mbetet një mister.
Kush e vrau?
Kush e vrau dhe e copëtoi në mënyrë kaq makabre Shefki Kurtin, 72-vjeçarin emigrant shqiptar nga Durrësi, baba e bashkëshort që tërë jetën punoi e sakrifikoi për familjen e tij?
Lindur më 7 gusht 1950 në Durrës, i martuar, me dy fëmijë, me profesionin murator e pensionist, Shefki Kurti jetonte prej disa vitesh në Itali, në komunën Badia Polesine në provincën e Rovigos.
U deshën 5 ditë për identifikimin e emrit të shqiptarit pas gjetjes së pjesëve të trupit të tij të gjymtuara, të mbyllura në thasë mbetjesh urbane e të hedhura në lumë.
Në mëngjesin e 28 korrikut, personeli që merret me bonifikimin e Adigeto, gjeti në kanalin e lumit këmbën e majtë e pak orë më vonë të së njëjtës ditë, mbyllur në katër thasë të zinj, u gjetën trupi, koka e krahët. Më 31 korrik u gjet dhe këmba e djathtë e vetëm pak orë më parë është mundur të konfirmohet identitetit i trupit të gjymtuar.
Hetimet e para të mjekut ligjor kanë zbardhur se trupi i shqiptarit Shefki Kurti ndodhej prej gati një jave në ujë. Autoritetet shpresojnë që autopsia do të mund të zbardhë shkakun e vdekjes së tij para se trupi të gjymtohej e të hidhej në lumë./Ora News