Bota Itali: Përgatitje për turizmin dhe frika nga plazhet bosh

Itali: Përgatitje për turizmin dhe frika nga plazhet bosh

Pas kthimit në normalitet, Italia ndodhet para javëve vendimtare: A do të vijnë turistë sivjet? Sepse ende nuk është e sigurt se ku dhe kur do të lejohen pushuesit të vijnë.

Një vizitë në Terracina, një destinacion klasik pushimesh që prej 50 vitesh. Këtu janë bërë përgatitjet për sezonin, duke përfshirë edhe udhëzimet e reja. Por tensioni ka mbetur, edhe frika se plazhet do mbeten ndoshta bosh.

Në plazhin përrallor në jug të Romës, kanë hyrë në fuqi rregullat e ruajtjes së distancës, ashtu si në gjithë plazhin prej pesë mijë kilometrash të gjatë të gjithë Italisë.

Prej vitesh Terracina ka qenë vend i preferuar pushimi për gjermanët dhe italianët. Por sivjet pronarët e hoteleve të plazhit nuk e dinë nëse do vijnë turistë për shkak të kufizimeve sanitare dhe sociale që janë bërë. Hapësira e sallave ku hahet mëngjesi do të përgjysmohet për shkak të distancës që duhet ruajtur midis tavolinave, pastrime intensive të përditshme. Pronarët kanë shumë punë. Shqetësimi i tyre është, se të ardhurat nuk do t‘i mbulojnë shpenzimet e bëra për masat që janë marrë.

Hotelieri Gino Verardi thekson: “Unë shpresoj që të paktën në mes të muajit korrik biznesi të arrijë pikun, që turistët të vijnë me dëshirën për të kaluar verën dhe për të harruar virusin Corona, duke marrë frymë lirshëm.” Por deri sa të vijë ajo ditë duhet kapërcyer fillimi i vështirë i biznesit, pas 12 javë mbylljeje dhe kufizimesh të vendosura për të gjithë Europën! Edhe Gino Verardi-t iu desh ta mbyllte restorantin e tij dhe dhomat e hotelit. “Në fillim frika ishte e madhe. Askush nuk e dinte se si ta luftonim këtë rrezik. Vetëm kur filluam të merrnim masat mbrojtëse e ndiemë, se do të dalim shëndoshë e mirë nga kjo situatë.”

Frikë nga mosardhja e turistëve

Por tani sipërmarrësi Verardi ka shqetësime të tjera. A do të vijnë turistët nga vendet e tjera? Në Terracina një e katërta e turistëve vjen nga jashtë. Shumë turistë vijnë nga Gjermania ose Suedia, por pikërisht në këto dy vende sundon mosbesim i madh kundrejt Italisë. Verardi: “Çfarë Europe është kjo, kur vendet thonë: “Mos shkoni në Itali, atje është e rrezikshme.” Mbase ne jemi vendi me sigurinë më të lartë? Pas Kinës, ne ishim vendi i parë që pati virusin Corona dhe e zhdukëm gati tërësisht.”

Me historinë e saj mijëravjeçare Terracina, ka përjetur gjëra të ndryshme. Rruga romake Via Appia kalon nga Piazza, ku Gino Verardi takohet me një gjermane, bie në dashuri me këtë vend dhe ngulet aty, gati si një turist afatgjatë. Herta Klinger e njeh historinë e pasur të këtij vendi që ka kaluar pandemi që në mesjetë me kolerën dhe malarjen, të cilat kanë sfiduar njerëzit. “Pas pandemive patën mbetur këtu fare pak njerëz. Kjo ka ndodhur shpesh. Sepse këtu ka pasur malarje, që ka qenë shumë e përhapur. Sepse luginat poshtë kanë qenë të gjitha moçalore.” 81 vjeçarja e kaloi mbylljen prej virusit Corona në ballkonin e saj, ku pa se sa shpejt mund të harrohet jeta pa halle. “Ndihet vërtet mungesa e përqafimit ose e gjërave të tilla… Prandaj unë mund t‘i imagjinoj shumë mirë frikërat ekzistenciale.”

Dëshirë për diell, det dhe plazh

Gino Verardi i ka provuar vetë ato. Ka pak kohë që peshkatarët kanë filluar të hedhin grepat  tek porti. Pjesa më e madhe e peshqve të zënë shkon nëpër restorante, si tek ai i Gino-s. Por kur restorantet nuk hapen, atëherë karkalecat nuk gjejnë treg që t‘i tërheqë. Por shyqyr, kjo gjendje tani kaloi, entuziazmohet Gino Veerardi:”Peshkimi ka ecur mirë dhe peshqit blihen përditë prej ndokujt.” Sepse në Terracina janë kthyer turistët, të paktën ata italianë. Nga java në javë, dëshira për diell, det dhe plazh është bërë më e madhe se sa frika nga infektimi me virusin.

Edhe tek restoranti i Ginos janë duke u bërë përgatitjet, në kuzhinë sërish gatuhet. Por nën kushte të rrepta higjiene. “Edhe nëse dorezat janë të pastra, unë duhet të kem kujdes kur ngre maskën. Në fund të fundit kostot për mua janë rritur. Nuk është e lehtë.” Duhet që menytë që gatuhen në kuzhinë të mos cënohen prej masave aktuale. Ndërkohë në restorant bëhen matjet e fundit centimetër për centimetër, për të vendosur distancën e duhur të sigurisë

Përveç kësaj të gjithë turistët duhet të regjistrohen me emër dhe adresë, në mënyrë që në rast infektimi të mund të ndiqen rrënjët nga ka ardhur infeksioni. Hotelieri Verardi megjithatë ruan optimizmin: “Gjëja e parë që do të bëjmë është hapja e disa shishesh shampanje dhe prosekoje, pasi të kemi përballuar javët e para. Uroj që të vijë dita që të qeshim me këtë aventurë që jemi duke kaluar.” Pastaj do të vijnë edhe turistët nga jashtë vendit. Gino Verardi është i sigurtë se për shkak të bukurisë së Detit Mesdhe, turistët që kanë ardhur gjithnjë do të vijnë sërish nga veriu në Terracina./DW