Përmes një edicioni të kuruar nga analisti Giorgio Benigni e botuar nga shtëpia botuese Donzelli, Qendra Studimore italiane mbi Politikën Ndërkombëtare (CeSPI) sapo ka nxjerrë në libraritë e vendit fqinj botimin “Drejt një faze të re të Bashkimit Evropian”, përmbledhje e kontributeve në një forum tematik të specialistësh në fushën ndërkombëtare. Themeluar në 1978 e drejtuar aktualisht prej ekspertit të ekonomisë e financës Daniele Frigeri, CeSPI përbën një think tank që orienton analizat e tij në sektorët lidhur me realitetet ndërkombëtare, gjeopolitike e emigracionin, me fokus thellimin e tyre dhe përhapjen e një kulture të këtyre fushave në Itali.
Botimi më i fundit është i teti në kuadrin e përmbledhjeve titulluar Fletoret e CeSPI-t dhe – ashtu si edhe në edicionet numër 4 e 5 – në të është përfshirë një kontribut i gazetarit shqiptar Gjergji Kajana, titulluar “BE dhe domosdoshmëria për një konstrukt autonom sigurie” e botuar në shtypin shqiptar edhe në gjuhën angleze. Diplomuar në Universitetin “La Sapienza” të Romës në Shkenca Politike e Marrëdhënie Ndërkombëtare, Kajana bashkëpunon me artikuj mbi tema shqiptare e ndërkombëtare në mediat italiane Osservatorio Balcani e Caucaso Transeuropa e Lanterna Web, ka botuar analiza në think tank-e franceze dhe është përfshirë në 2019 – 2021 pranë Ambasadës së Shqipërisë në Itali me një program ndërkombëtar mbi angazhimin e diasporës shqiptare në zhvillimin e atdheut. Në artikull ai pohon se “lufta në Ukrainë duhet të tingëllojë për Evropën si momenti në të cilin nevojat politike të sigurisë marrin përparësi mbi konsideratat ekonomike që kanë ushqyer deri tani lidhjet me Rusinë e Kinën”. Artikulli i Kajanës ka si shtyllë kurrizore tezën se BE duhet të synojë krijimin e një konstrukti autonom ushtarak të sajin e gjithëpërfshirës të vendeve anëtare pasi “pas përvojës së administratës Trump rrezikohet që SHBA të mos jenë më për Evropën aleati i patjetërsueshmë i përhershëm i sigurisë, në optikën edhe të një rikthimi të mundshëm të miliarderit në presidencë në 2024. Qendrimi i BE-së në skenën botërore duhet të synojë vendosmërisht për të përshpejtuar procesin e brendshëm vendimmarrës, duke ia përshtatur atë sfidave aktuale në fushën e sigurisë me qëllim projektimin efikas në një rend të ri ku çdo sferë konkurrence (ekonomia, teknologjia, projektimi ushtarak, lëndët e para, emigracioni) kthehet në armë. Brenda BE-së është kthyer në domosdoshmëri tejkalimi i sistemit të vendimmarrjes me unanimitet të paktën në çështjet e lidhura me sigurinë e politikat e zgjerimit.” Gazetari shqiptar pohon se statusi si “një garantues më muskulor i sigurisë mund të rrisë peshën e Brukselit në ndërveprimet bashkëpunuese me aleatë të NATO-s (SHBA, Britani e Madhe, Kanada) e partnerë potencialë (Japoni, Kore e Jugut, Australi) të një blloku të ri të mundshëm gjeopolitik multilateralist”.
Nevoja për një BE më proaktive përshkon gjithë vëllimin e CeSPI-t. Ish-kryeministri italian e ish-presidenti i Komisionit Evropian Romano Prodi shkruan se në rivalitetin global SHBA – Kinë BE ndodhet në rol pasiv “në mungesë të një politike ushtarake të përbashkët”. Giorgio Benigni cilëson “anakronistike” vonesën me të cilën Brukseli trajton aderimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Giulio Saputo thekson rëndësinë e pasjes nga BE të një arkitekture federale e cila, në hap të parë, ta kthejë në një aktor më të fuqishëm të politikës së jashtme ndërkombëtare.
Gazetari Gjergji Kajana nuk është i vetmi aktor lidhur me Shqipërinë angazhuar në veprimtaritë e CeSPI-t: qendra studimore ka përfshirë në botimet e saj analiza të akademikes Ervjola Selenica dhe në prill 2020 ka përpunuar një raport voluminoz mbi diasporën e Vendit të Shqiponjave si pjesë e një projekti me organizatën IOM Albania mbi hartëzimin e bashkësive shqiptare në Itali, Francë e Belgjikë, për të cilin është bashkëpunuar ngushtë me tre shoqata shqiptare në Itali (Integra Onlus, URA, RIDAI) e akademiken Edita Fino.
Link origjinal me artikujt e vëllimit “Drejt një faze të re të Bashkimit Evropian”: https://www.cespi.it/it/eventi-attualita/dibattiti/verso-una-nuova-fase-dellunione-europea.
Link origjinal me artikullin e gazetarit Gjergji Kajana: https://www.cespi.it/it/eventi-attualita/dibattiti/verso-una-nuova-fase-dellunione-europea/una-postura-autonoma-della.