Katër milionë e gjysmë italianë i janë kthyer punës, por gjërat nuk shkojnë si zakonisht.
Në kryeqytetin e vendit mungesa e turistëve dhe klientëve do të thotë se hapja e kafeneve dhe restoranteve nuk po shkon sipas planeve.
Ata që kanë hapur dyert ofrojnë shërbime për të marrë me vete, ndërsa shqetësohen se gjërat nuk janë si më parë.
“Po punoj shumë për ta shpëtuar restorantin sepse kemi 35 vjet që e menaxhojmë. Tre muajt e ardhshëm do të jenë tragjikë pasi nuk ka më turistë dhe klientët janë të pakët”, thotë pronarja e një restoranti.
Edhe pse nuk e shijuan në banak, gjëja e parë që shumë italianë bënë të hënën e kaluar ishte konsumimi i ekspresit të mëngjesit.
“Që kur rihapëm dyert kemi punuar pa pushim, ekspresi ka qenë në punë. Për mua kjo është shumë domethënëse. Do të thotë se klientët kanë nevojë për normalitetin që ndihet kur konsumon një kafe”, thotë pronarja e një kafeneje.
Një pushim i shkurtër, që nuk zgjat shumë, u kujton italianëve se si ka qenë jeta më parë.
“E kisha të nevojshme. Pas dy muajsh mund të ulem në një stol dhe të pi një kafe. Nuk është kthim në normalitet, por është diçka”, shprehet një grua.
“Duket si një fillim i ri, është si dita e parë e shkollës, ose e punës. Është si të nisësh gjithçka nga e para”, vijon një tjetër.
Parqet janë hapur duke u ofruar familjeve shansin të shëtisin fëmijët, por rregullat janë të rrepta.
Stacionet e metrosë së Romës janë thuajse të shkreta. Kudo ka shenja që tregojnë rregullat e reja. Brenda në vagonë mund të përdoren vetëm vendet që nuk kanë shenjë.
Në këtë fazë transporti publik do të veprojë vetëm me gjysmën e pasagjerëve, por në qershor, kur të gjithë të rikthehen në punë, situata do të jetë e vështirë të menaxhohet.
“Mendoj se duhet të ketë më shumë trena, ndryshe nuk do të jetë e mundur të respektohet distancimi social”, thotë një pasagjere.
Transporti publik është sfida më e madhe, bashkë me garantimin e ruajtjes së distancës sociale në autobusë dhe metro. Në dy javë qeveria do të shqyrtojë nëse plani për të hyrë në fazën e dytë ka funksionuar apo jo. Disa thonë se në lojë është posti i kryeministrit Conte.