Një tjetër viktimë shqiptare nga Covid 19 është regjistruar në Itali.
Altin Hyso 45 vjeç, ka ndërruar jetë një ditë më parë në spitalin e Chietit në rajonin e Abruzzo.
Bashkëshort e baba i dy fëmijëve minorenë, ai jetonte prej 25 vitesh në Sulmona.
Mësohet se vuante nga leucemia dhe kishte rezultuar pozitiv me Covid 19.
Altin Hyso punonte si punëtor ndërtimi dhe ishte një person i respektueshëm në komunitetin shqiptar të Abruzzos.
Dëshira e tij e fundit ishte të prehej në Shqipëri, gjë që nuk u realizua për shkak të koronavirusit.
Në rajonin e Abruzzo me rreth 1 milionë e 300 mijë banorë jetojnë rreth 12 mijë emigrantë shqiptarë.
Aktualisht, pacientë pozitiv me Covid 19 në këtë rajon janë rreth 3 mijë persona.
Dy muaj nga përhapja e pandemisë në Itali, autoritetet shqiptare dhe italiane ende nuk kanë zbardhur të dhëna zyrtare mbi numrin e emigrantëve shqiptarë që kanë humbur jetën apo janë infektuar me Covid 19./Ora News