Një ngjarje e tmerrshme ka tronditur banorët e provincës Mantova në Itali. Mediat e vendit fqinj shkruajnë se një shqiptar ka qëlluar me thikë bashkëshorten e tij, me të cilën ishte në proces divorci.
Burri u arrestua menjëherë nga policia, ndërsa gruaja, 38 vjeç u transportua në gjendje të rëndë drejt spitalit të Mantovës. Dëshmitarë të ngjarjes së rëndë kanë thënë në polici se mes çiftit shqiptar ka pasur fillimisht një përplasje verbale.
“Ti do të më shkatërrosh” dëgjohej të thoshte burri, para se të ndërmerrte aktin ekstrem. Dëshmitarët thonë se ai e ka goditur gruan më pas me thikë, fillimisht në krahë e më pas në qafë.
Për ta ndaluar shqiptarin e dhunshëm ka ndërhyrë pronari i një palestre aty pranë, i cili thuhet se është përleshur me të. Edhe ky i fundit mësohet të ketë marrë një gërvishtje thike në gjoks gjatë përleshjes.
Autori arriti të largohet nga vendi i ngjarjes, por policia duke ndjekur gjurmët e gjakut ka mundur ta arrestojë atë pak metra më larg. Po ashtu ata kanë mundur të gjejnë edhe armën e krimit, thikën që shqiptari e kishte hedhur në një kabinë elektrike. Policia thotë se nuk i ka publikuar emrat e dy shqiptarëve për të mbrojtur fëmijët e tyre të mitur.