Një 50-vjeçar italian në Firence është vrarë me thikë nga një shqiptar pas një sherri mes të dyve. Ngjarja ka ndodhur në Itali në orët e para të mëngjesit të së shtunës.
Viktima Tommaso Dini, i cili kishte në pronësi një agjenci të vogël imobiliare, u godit me thikë nga një 47-vjeçar shqiptar i quajtur Ilir Leba.
Italiani mbeti fillimisht i plagosur me 3 goditje thike në gjoks dhe u dërgua në spital, por fatkeqësisht ndërroi jetë disa orë më vonë.
Pas ngjarjes autori i dyshuar u arratis. Por më vonë ai u kap nga karabinierët dhe u arrestua.
Autoritetet italiane po hetojnë për vrasje me dashje. Bazuar edhe në deklarimet e dëshmitarëve, fillimisht ka patur një sherr me tone të larta mes viktimës dhe autorit të dyshuar. Më pas 47-vjeçari shqiptar nxori thikën dhe e goditi në gjoks.
Mediat italiane raportojnë se Ilir Leba së bashku me vëllain e tij kanë një kompani ndërtimi në shtetin fqinj.
Dyshohet se mes tij dhe 50-vjeçarit italian ka patur konflikte të hershme pune, por këto janë pista paraprake hetimore.