Një tartuf i bardhë i zbuluar në Itali me peshë 830 gramë është shitur 103 mijë euro në një ankand mbajtur ditën e diel në “Grinzane Cavour” një kështjellë e shekullit 13.
Kërpudha e çmuar, një nga përbërësit më të kërkuar e të shtrenjtë në botë, u ble nga shefi i kuzhinës Umberto Bombana, i cili është dhe njëkohësisht pronari i restorantit “Otto e Mezzo” në Hong-Kong.
Piemonte, provinca në veri perëndim të Italisë, është e mirënjohur për tartuf, të cilët rriten në mënyrë të egër në vetëm disa zona të Italisë dhe në Europën qendrore.
Me një aromë e shije karakteristike, tartufi gjendet 5-20 centimetra nën tokë pranë rrënjëve të pemëve me të cilat jetojnë në simbiozë dhe kur avullojnë lëshojnë një aromë të veçantë që zgjat për një afat të caktuar kohor dhe mund të nuhatet nga qentë e stërvitur apo gjuetarë me përvojë.
Panairi historik Ndërkombëtar i Tartufit të Bardhë Alba sjell çdo vit rreth 100 mijë vizitorë nga e gjithë bota për të blerë, shitur apo nuhatur delikatesën e shtrenjtë, që ndryshe nga tartufi i zi, nuk mund të mbillet në plantacione, por rritet vetëm në pyje.