Qeveria italiane ka anuluar ngjarjet festive për Vitin e Ri dhe shkak për këtë janë bërë infektimet ditore në nivele rekord. Ministri i Shëndetësisë Roberto Speranza tha se mbajtja e maskave do të jetë përsëri e detyrueshme dhe i rekomandoi qytetarët të përdorin maskat më mbrojtëse të fytyrës në vende si teatro, kinema dhe stadium.
Përveç kësaj, koncertet do të ndalohen deri më 31 Janar, dhe diskotekat dhe klubet do të duhet të mbyllin dyert e tyre deri në këtë datë.
Speranza deklaroi se rreth 89% e italianëve janë vaksinuar, por qeveria dëshironte të përshpejtonte dhënien e dozave të treta, që shihen si mburoja më efektive kundër variantit Omicron që po mbërthen Evropën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Po ashtu nisur nga 1 Shkurti, pasaportat shëndetësore do të jenë të vlefshme vetëm për gjashtë muaj dhe jo për nëntë aktualisht. Ky vendim i shkurtimit të afatit të vlefshmërisë së certifikatës digjitale zvogëlon vlefshmërinë e certifikatave shëndetësore COVID-19, të cilat nevojiten për të kryer një sërë aktivitetesh pasi dihet se efektiviteti i vaksinës zvogëlohet me kalimin e kohës.
Gjithashtu, Franca raportoi një numër rekord prej më shumë se 91 mijë rastesh 179 vdekje, ndërsa Omicron vijon të përhapet vrullshëm në vend. Por ndërsa transmetueshmëria e lartë e variantit po gjeneron shifra alarmante anekënd botës, më shumë të dhëna provojnë faktin se ai është më pak agresiv se paraardhësit.
Sipas një studimi të Agjencisë për Sigurinë Shëndetësore në Britaninë e Madhe, personat me Omicron kanë 50 deri në 70 për qind më pak mundësi të shtrohen në spital. Por edhe pse i cilësojnë si inkurajuese të dhënat, autoritetet druhen se numri i lartë i infektimeve mund të rrisë presionin në spitale. Studimi tregon gjithashtu se aftësia e vaksinës për të parandaluar infektimin me Omicron fillon të zbehet 10 javë pas dozës përforcuese.