Vendet anëtare të Bashkimit Europian pritet të shtyjnë të martën vendimin mbi hapjen e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për në shtator, pasi pothuajse të gjitha kryeqytetet europiane duket se kanë bërë të ditur se janë gati të japin “dritën jeshile” për Shkupin, ndërsa verdikti për Tiranën mbetet deri më tani “jo”.
Lajmi është bërë i ditur nga zyrtarët dhe diplomatët e BE-së, të cilët theksojnë për Euractiv se nuk mund të marrin një vendim të menjëhershëm, pasi Gjermania nuk e ka diskutuar ende këtë çështje në parlament.
Euractiv zbulon se aleati i patundur i Shqipërisë është deri më tani qeveria e Italisë fqinje, e cila ka këmbëngulur vazhdimisht që vendi ynë mos të shkëputet nga Shkupi.
“Një diplomat thotë se në mesin e shumicës së vendeve që mbështesin zgjerimin (deri në 15 qeveri), vetëm Italia këmbëngul që procesi i anëtarësimit të Shqipërisë mos të shkëputet nga ai i Maqedonisë së Veriut”, shkruan “EUROACTIV”.
“Ndërkohë, po krijohet një konsensus për ecjen përpara të Maqedoninë e Veriut, Shqipëria po lufton për të marrë dritën jeshile nga 28 vendet anëtare”, thanë burimet.
Sipas Euractiv, shkëputja e Shkupit nga Tirana duket tanimë opsioni më i mundshëm, pasi disa nga skeptikët më të mëdhenj rreth zgjerimit janë gati të japin bekimin e tyre vetëm për Maqedoninë e Veriut.
“Një diplomat i BE-së deklaroi se kishte përshtypjen se Brukseli nuk do të refuzonte hapjen e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut, pasi kjo çështje u diskutua nga ambasadorët e BE-së javën e kaluar”, shkruan media e njohur europiane.
“Diskutimi i ambasadorëve ishte i gjatë dhe i vështirë, por Shqipërisë iu refuzua drita jeshile nga qeveria holandeze”, tha një diplomat tjetër.
Vetëm Franca po shqyrton ende pozicionin e saj. Një diplomat francez tha se Parisi po “reflekton nëse do të mbajë të njëjtin pozicion si Holanda për Maqedoninë e Veriut”.
“Në rastin e Shqipërisë, hapja e procesit është i parakohshëm”, deklaroi ai.
Një tjetër diplomat shpjegoi se Parisi dhe Komisioni Europian janë pro nisjes së bisedimeve për Maqedoninë e Veriut, por se fillimisht duhet të vendosin nëse do të shkëputin procesin e anëtarësimit të të dyja vendeve. Një zyrtar i BE-së insistoi që Komisioni nuk do të bënte një propozim të tillë dhe së topi është tanimë në portën e Këshillit të BE-së.
Në një intervistë ekskluzive me EURACTIV javën e kaluar, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, pranoi se “problemi më i madh” ishte shkëputja nga Shqipërinë.
“Shqipëria është tani në rrëmujë. Opozita është larguar nga institucionet dhe situata po bëhet më e tensionuar. Pra, çfarë mund të themi tjetër përveçse të kërkojmë shkëputjen?“ tha ai.
Pyetja tjetër e rëndësishme është koha kur shtetet anëtare do të marrin vendimin.
Shumica e vendeve, Komisioni dhe Shërbimi Europian i Veprimit të Jashtëm janë në favor të hapjes sa më shpejt të bisedimeve. Megjithatë, Franca, Holanda dhe Danimarka argumentuan se kishin nevojë për më shumë kohë për të vlerësuar progres-raportin e Komisionit Europian përpara se të merrnin një vendim.
Zyrtarët e BE-së shpjeguan se vendimi do të merrej “sa më shpejt që të jetë e mundur”, dhe jo më vonë se shtatori. Ndërkohë, grupi që mbështet zgjerimin ka shtuar trysninë gjatë ditëve të fundit, duke i bërë presion Parisit, Berlinit dhe Amsterdamit.
Estonia, Lituania, Letonia, Republika Çeke, Polonia, Sllovakia, Hungaria, Bullgaria, Italia, Austria, Kroacia, Sllovenia dhe Malta bënë publike mbështetjen e tyre për Tiranën dhe Shkupin më 11 qershor, kur hartuan një deklaratë të përbashkët duke kërkuar hapjen e negociatave.
“EURACTIV” bën po ashtu të ditur Suedia, Greqia dhe Britania e Madhe, të cilët nuk e nënshkruan këtë draft, i dolën po ashtu në mbrojtje perspektivës europiane të Shkupit dhe Tiranës gjatë diskutimeve të javës së kaluar midis ambasadorëve të BE-së.
Në veçanti, Suedia tha se shtetet anëtare duhet të mbajnë premtimin e bërë vitin e kaluar. Zgjerimi dhe bisedimet e pranimit ka të ngjarë të diskutohen nga udhëheqësit e BE gjatë gjithë kësaj jave. Franca ka deklaruar paraprakisht se preferonte të priste rezultatet samiti që do të mbahet në Luksemburg të martën. Por Holanda tha gjatë diskutimeve përgatitore se BE duhet të ketë prioritet kredibilitetin e vetë procesit, duke deklaruar se Shqipëria nuk ka arritur rezultate të kënaqshme.