Italia përkujtoi më 25 prill Ditën e Çlirimit, në një situatë aspak të këndshme. Me mijëra persona kanë humbur jetën për shkak të koronavirusit, ndërsa vendi është i izoluar për të luftuar pandeminë.
Në këtë ditë të shënuar, edhe pse në izolim, italianët u bënë bashkë për të kënduar nga ballkonet e tyre himnin partizan, “Bella Ciao”.
Po ashtu, nën koordinimin e kantautorit Tommaso Primo, 7 artistë nga vende të ndryshme të botës u bënë bashkë për të kënduar këngën simbol të luftës partizane ndaj fashizmit, e cila sot është himni i një beteje të re, asaj ndaj armikut të padukshëm, Covid-19, por jo më pak të egër.
Mes artistëve të tjerë, u zgjodh edhe këngëtarja e mirënjohur shqiptare, Irma Libohova, e cila e solli një pjesë të këngës në shqip. Këngëtarja tërhoqi vëmendjen edhe me veshjen e saj, me një bluzë kuqezi.