Situata e krijuar me memorandumin mes Turqisë dhe Libisë për ndarjet e vijave ujore dhe zonave ekonomike mes tyre, ka nxitur vende të tjera në këtë rajon që të përshpejtojnë punën për arritjen e marrëveshjeve të ngjashme.
Gazeta greke “Kathimerini” njofton se ministri i Jashtëm Nikos Dendias ka shtyrë një vizitë të planifikuar për këtë të premte në Romë, për arsye se grupet e ekspertëve të të dyja vendeve duhet të punojnë për të dalë me plane konkrete diskutimi. Takimi me homologun Di Maio mendohet të mbahet në fillim të vitit 2020.
Synimi është që marrëveshja e 24 majit 1977 mes të dyja vendeve, që përcakton kufirin e shelfit kontinental mes të dyja vendeve të konvertohet në marrëveshje për delimitimin e Zonave Ekskluzive Ekonomike.
Nëse sheh hartën kuptohet se interesi i Greqisë është stabilizimi i një kufiri që vendos vija për Libinë, një vend që aktualisht ka një marrëveshje problematike me Turqinë, marrëveshje që nuk dihet nëse hidhet poshtë apo pranohet edhe nga rivali i qeverisë së Tripolit, gjenerali Haftar.