Policia britanike ka arrestuar një 34-vjeçar shqiptar, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane nën akuzën e trafikut të drogës. Arrestimi i tij është bërë si një pjesëtar i grupit kriminal.
Sipas mediave britanike, Taulant Stoica akuzohet se ka trafikuar sasi të mëdha të lëndëve narkotike nga Holanda drejt Italisë dhe shteteve të tjera europiane, nga periudha e dhjetorit të 2015 deri në shkurt të 2016.
Ai dyshohet se ka trafikuar drogë në bashkëpunim me 38 persona të tjerë. Grupi kriminal trafikonte drogë të klasit A, vlera e së cilës në treg ishte e madhe. Prokurorët pretendojnë se babai i 4 fëmijëve është arratisur drejt Britanisë së Madhe, duke u bërë edhe pronari i një kafeje në Londrën lindore, me qëllim për të shmangur arrestimin.
Stoica, i cili u shfaq ditën e gjyqin me një maskë Lous Vuitton, pretendon se një dokument i dërguar nga avokati i tij italian konfirmon faktin që urdhri për arrestimin e tij është hedhur poshtë. Shqiptari ka mohuar çdo akuzë në lidhej me trafikimin e drogës, megjithatë ai pritet të ekstradohet në Itali.