Kryesore Italia e Mançinit, nga vendi i 20-të në të 4-tin në renditjen...

Italia e Mançinit, nga vendi i 20-të në të 4-tin në renditjen e FIFA-s

Kurrë më parë që nga viti 2013 Italia nuk ka qenë kaq lart në renditjen e FIFA-s. Përpara saj tashmë janë vetëm Belgjika, Brazili dhe Franca, ndërsa Anglia dhe Argjentina janë parakaluar nga skuadra e Roberto Mançinit.

Italia mban vendin e 4-të në renditjen e publikuar së fundi nga FIFA. Ngjitja e saj ka nisur në fakt që në shtator të vitit të kaluar, me kualifikueset e Botërorit. Para se të fillonte Europiani, Italia ishte në vend të 7-të, ndërsa në momentin që drejtimin e saj e mori Roberto Mançini, në maj të 2018-ës, ishte në vend të 20-të. Pak muaj më pas, pasi humbi Botërorin e Rusisë, shkoi në vend të 21-të. Ky ka qenë edhe pozicioni më i keq i të gjitha kohërave për skuadrën italiane.

“Axurrët” nuk kanë qenë kaq lart në klasifikim që në mars të 2013-ës, kur skuadra drejtohej nga Çezare Prandeli dhe vinte nga Euro 2012. Sistemi i ri i renditjes së FIFA-s, i futur në 2018-ën nga Infantino, ka afruar vlerat e klasifikimit botëror.

Mungon bonusi për atë që fiton Botërorin apo Europianin. Belgjika e vendit të parë, për shembull, nuk ka fituar asgjë. Renditja është thelbësore në shortet e FIFA-s dhe Italia, me rikthimin mes më të mëdhave, do të jetë e favorizuar për “Qatar 2022”. Nëse kualifikohet, do të ketë një short të ri, atë me 8 grupe të fazës finale, ku përfshihen Franca si ekip kampion dhe Katari si vend organizator. Qëndrimi në 7 vendet e para garanton vazon e parë në short.

Klasifikimi i 10-shes më të mirë

1- Belgjika

2- Brazili

3- Franca

4- Italia

5- Anglia

6- Argjentina

7- Spanja

8- Portugalia

9- Danimarka

10- Holanda