Italia ka marrë një fitore tenistike 6-0 kundër Lihtenshtejn në javën e dytë të eliminatoreve për Euro 2020. “Axurrët” kanë zgjidhur gjithçka në pjesën e parë. Përfaqësuesja e re e Mancini-t ka patur për protagonist veteranin Fabio Quagliarella, i cili ka realizuar dy gola (35′,45+3′), të dy nga pika e bardhë.
Sulmuesi i Sampdoria-s, 36 vjeç e 54 ditë, është bërë edhe golashënuesi më i vjetër i Italisë, një rekord ky që mbahej nga ish-trajneri i Shqipërisë, Christian Panucci, i cili kishte shënuar për “axurrët” në moshën 35 vjeç e 62 ditë.
Sensi (17′), Verratti (32′), Kean (70′) dhe Pavoletti (77′) kanë qenë autorët e golave të tjera. Lihtenshtejni ka luajtur me dhjetë lojtarë në pjesën e dytë pas kartonit të kuq të marrë nga Kaufmann në fundin e pjesës së parë.
Italia tani kryeson Grupin J me 6 pikë falë diferencës së golave. Pas tyre pozicionohet Greqia që ka marrë një barazim 2-2 në fushën e Bosnjes, që ka shpërdoruar avantazhin prej dy golash të siguruar në pjesën e parë.
Përgjegjësi kryesor për këtë rezultat ka qenë Pjanic, i cili ka lënë ekipin me 10 lojtarë pas kartonit të kuq të marrë në minutën e 65-të për shkak të një ndërhyrje të frikshme. Ndeshja tjetër e këtij grupi, Armeni-Finlandë, është fituar nga miqtë me rezultatin 2-0.
Fitore edhe për Spanjën në Grupin F që ka mposhtur 2-0 Maltën në transfertë. Heroi i miqve ka qenë Morata, i cili ka shënuar të dy golat e spnjollëve (31′, 73′). Sulmuesi i Atletico Madrid ka shënuar 15 gola për kombëtaren, më shumë se çdo lojtar tjetër që nga 2015-ta.
Skuadra e Luis Enrique, i cili nuk ka qenë në stol sot për arsye familjare, kryeson grupin me gjashtë pikë. Në vendin e dytë renditet Suedia që ka marrë një barazim të çmendur 3-3 në fushën e Norvegjisë. Rumania është ngjitur në vendin e tretë falë fitores 4-1 të marrë në shtëpi kundër Ishujve Faroe.
Befasi për Zvicrën, që ka barazuar 3-3 me Danimarkën në shtëpi. Freuler (19′), Xhaka (66′) dhe Embolo (76′) i kanë siguruar avantazhin e trefishtë vendasve, të cilët kanë shpërdoruar gjithçka në fund pas golave të shpejtë të realizuar nga Jorgensen (84′), Gytkajer (88′) dhe Dalsgaard (93′). Ky rezultat i lë zviceranët në vendin e dytë të Grupit D, me vendin e parë që është marrë nga Irlanda falë fitores 1-0 të marrë në shtëpi kundër Gjeorgjisë.